TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shtruar iftar për muajin e shenjtë të Ramazanit për besimtarët myslimanë.

Në fjalën e mbajtur, kreu i shtetit përcolli mesazh edhe për politikën, ku kërkoi që ajo të jetë më reflektuese dhe të lërë mënjanë arrogancën.

“I uroj çdo besimtari urime për Muajin e Ramazanit. Muaji i Ramazanit është një muaj i rëndësishëm për të dhënë mesazhin e vëllazërisë. Populli ynë nuk e humbi besimin, edhe në kohën e diktaturës. Këtë muaj duhet që të jemi në krah me të pamundurit, të atyre që kanë më shumë nevojë.

Në këtë muaj të shenjtë nuk ka vend për zemrat krenare, aq më tepër për arrogancë. Gjatë këtij muaji politika duhet të jetë më reflektuese. Besimi dhe veprat e mira me të tjerët duhet të jenë në përparësi. Le të shpresojmë se Ramazani të na gjejë sa më mirë, duke vlerësuar lart vlerat më të mira morale dhe qytetare”, tha mes tjerash Meta.

Fjala e plotë:

Në këtë mbrëmje Iftari ju falënderoj përzemërsisht për praninë tuaj dhe jam i lumtur që ndajmë së bashku respektimin dhe nderimin për Muajin e madhërueshëm të Ramazanit në një lagje të thjeshtë të kryeqytetit tonë!
U uroj të gjithë besimtarëve shqiptarë myslimanë, kudo ata ndodhen, një agjërim të mbarë, dhe qoftë përkushtimi juaj ndaj Zotit dhe besimit gjithnjë e më i madh. I uroj çdo besimtari dhe familjeje shqiptare paqe dhe begati, harmoni dhe mirëkuptim, si gjatë këtij muaji të shenjtë, por edhe në çdo ditë të jetës, të jeni të gjithë të rrethuar nga mëshira hyjnore dhe të përmbushur nga dashuria e Zotit.

Muaji i Ramazanit është një mundësi e madhe për të shpalosur ndjenjën e vëllazërisë, të dashurisë për njëri-tjetrin, dhe për atdheun tonë. Vendi ynë është i bekuar nga Zoti me resurse, natyrë dhe klimë të mrekullueshme, por mbi të gjitha me një popull të devotshëm, i cili me një besim të thellë në zemër nuk e çrrënjosi atë as edhe në ditët më të errëta të diktaturës së këtij vendi.
Për Zot dhe për Flamur shqiptarët e të gjitha besimeve, luftuan krah njëri-tjetrit dhe u vetëmohuan për Pavarësinë dhe Çlirimin.
Ata treguan qëndresë të pashoqë ndaj diktaturës dhe rrugëtuan të bashkuar në frymën e vëllazërisë në udhën e mundimshme të emancipimit, barazisë shoqërore dhe zhvillimit të vendit.

Të nderuar pjesëmarrës, Muaji i Ramazanit është lajmëtar i mesazheve të ngrohtësisë për të gjithë besimtarët, duke i ftuar ata të tregojnë vlerat më të larta njerëzore, për të treguar më shumë dhembshuri, përkushtim dhe bujari për njëri-tjetrin, në veçanti për më të varfrit, jetimët, familjet në nevojë, të moshuarit, të pamundurit dhe të gjithë ata që kanë më shumë nevojë për përkujdesje dhe përfshirje sociale.
Gjej rastin t’ju falënderoj për mbështetjen e përhershme që keni treguar ndaj nismës për dhurimin e gjakut.
Besimi te Zoti na jep një frymëzim dhe forcë shpirtërore, që na shtyn t’i përkushtohemi edhe më shumë vlerave tona njerëzore dhe kombëtare, atdhedashurisë, forcimit të institucionit të familjes, shoqërisë dhe shtetit tonë.

Shqipëria është e njohur në mbarë botën për shembullin e saj të jashtëzakonshëm të harmonisë fetare. Kjo është një ndër vlerat dhe asetet më të çmuara të historisë, traditës dhe shoqërisë sonë e që duhet ta ruajmë gjithmonë fort si sytë e ballit.
Toleranca dhe harmonia janë instrumenti më i mirë me të cilin ne përballemi dhe sfidojmë rreziqet dhe kërcënimet e kohëve moderne, të cilat falë globalizmit kanë bërë që askush të mos jetë më imun.

Ky atribut i vyer i popullit tonë duhet të manifestohet në çdo pjesë të jetës: në radhë të parë në politikë, por kudo në kulturë, në familje, etj.
Në këtë muaj të shenjtë nuk ka vend për zemrat krenare, aq më tepër për arrogancën dhe kokëfortësinë, por për zemërgjerësi, përkushtim, përulësi dhe dashuri.

Gjatë këtij muaji edhe politika duhet të jetë reflektuese dhe të ketë më shumë besim, pa harruar se nuk është vetëm besimi ai që i bën njerëzit të jenë më të mirë, por mbi të gjitha janë veprat e mira dhe konkrete.
Besimi dhe aktet e mira në shërbim të tjetrit, të komunitetit dhe të kombit duhet të jenë burimi i reflektimit, dialogut, pajtimit, tolerancës, bashkëpunimit dhe përulësisë.

Ashtu siç thuhet te një prej haditheve: “Njeriu më i mirë është ai i cili është më i dobishëm për njerëzit”.
Festat tona fetare janë përherë momente bashkimi dhe gëzimi për të gjithë shoqërinë. Ato kthehen te familjet tona në festa të të gjithëve. Ndaj shpresoj që pas pak ditësh Bajrami të na gjejë me begati dhe shëndet.

Le të shpresojmë se lutjet tuaja në muajin e madhërishëm të Ramazanit të na ndihmojë të gjejmë rrugën e duhur, për të nxjerrë në pah bashkësinë e vlerave tona më të mira atdhetare, etike, morale, njerëzore dhe hyjnore.
Në përfundim dua t’ju siguroj për mbështetjen dhe angazhimin tim të plotë në punën, përpjekjet, misionin dhe lutjet tuaja për të mirën e qytetarëve dhe të ardhmen e bashkuar të vendit tonë.
Gëzuar Muajin e shenjtë të Ramazanit! Agjërim të lehtë për besimtarët myslimanë! Lumturi për të gjithë shqiptarët dhe familjet e tyre! Ju faleminderit!”

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: