TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dekoruar Doris Pack me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për kontributin si Kryetare e Delegacionit për Evropën Juglindore në PE, për Shqipërinë. Nishani tha se eurodeputetja gjermane Doris Pack ka qenë avokate e palodhur e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Dekorata e Kreut të Shtetit është bërë me motivacionin “Për kontributin e çmuar dhe mbështetjen e pakursyer që ka dhënë, si Kryetare e Delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, në mbështetje të proceseve dhe konsolidimit të institucioneve demokratike në Shqipëri si mike pa ekuivok e shqiptarëve në Shqipëri dhe rajon. Për rolin shumë aktiv dhe mbështetjen e sinqertë e miqësore në realizimin e lëvizjes pa viza të shqiptarëve në zonën Schengen, si dhe për marrjen e Statusit të Vendit Kandidat në Bashkimin Evropian”.

Kreu i Shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë edhe në emër të popullit shqiptar. “Ne shqiptarët jemi mirënjohës për kontributin dhe mbështetjen që zonja Pack ka dhënë për procesin e integrimit evropian të vendit deri në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, në qershorin e vitit që lamë pas. Askush prej nesh nuk mund të harrojë punën e palodhur të zonjës Pack dhe thirrjet e saj të përsëritura se: Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat. Por mbështetje dhe një kontribut të jashtëzakonshëm e shumë të prekshëm për qytetarët shqiptarët zonja Pack e ka dhënë për liberalizimin e regjimit të vizave në zonën Schengen. Falë edhe kontributit të zonjës Pack, ëndrra e shqiptarëve, pas pesë dekadash izolim dhe dy dekadash radhësh të gjata, të mundimshme u bë realitet”, tha Presidenti Nishani.

Ai theksoi se Zonja Pack ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe shprehu bindjen se me autoritetin dhe reputacionin që gëzon në Gjermani dhe institucionet evropiane, ajo do të vijojë të mbështesë përpjekjet tona për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: