Duke dashur të ruajë dhe të respektojë staturën e postit që mban, Ilir Meta i ka dhënë pa dashje një ceremonialitet institucional, një pushteti që i kanë rënë brekët. Po të shihje sot paraqitjen e presidentit në komisionin që po shqyrton shkarkimin e tij, Shqipëria ngjante si një nga vendet më demokratike të botës. Ajo seancë pyetje përgjigjesh, ishte krejt e ndryshme nga sa ne jemi mësuar të shohim në atë sallë. Kush e kujton përplasjen epike të komisionit Olldashi- Rama dhe paraqitjen e këtij të fundit me megafon në dorë, kush sjell ndërmend me neveri hetimin e komisionit hetimor për “puçin” e 21 janarit, bie pa dyshim dakord se seanca e sotme ishte një model.

Aty u diskutua në mënyrë kordiale dhe të edukuar për dilema kushtetuese, aty socialistët ishin instruktuar që mos bënin replika me kreun e shtetit, aty dhe opozitarët e rinj që sillen si rrugaçë në parlament kundër presidentit ishin bërë pula, aty tonet solemne dhe “interesi për mbrojtjen e shtetit” dukej sikur qenë preokupimet madhore të bashkëbiseduesve, aty ta shpifte teatraliteti për ti thënë pafundësisht faleminderit njëri -tjetrit mes Metës, Manjës e të tjerëve.

Kujtdo që e dëgjonte atë seancë pyetje përgjigjesh, i krijohej përshtypja e rreme se ligjvënësit dhe shtetarët shqiptarë janë ata që raskapiten deri në stërmundim për të drejtën e qytetarit për të zgjedhur, për sovranitetin e popullit, për reflektimin e vendimeve të Strazburgut tek ne dhe për të ardhmen perendimore të vendit.

Ilir Meta u përpoq në çdo gjest dhe çdo gërmë të qëndronte në staturën e shtetarit. Ai përsëriti edhe njëherë argumentat tashmë të njohur të ndarë në tre shtylla, se përse, për arsye kushtetuese, të sigurisë kombëatre dhe të interesit kombëtar, vendosi anullimin e 30 qershorit. Ai u përpoq të luante rolin e unifikuesit të kombit që nuk binte dakord as me veprimet e papërgjegjshme të Bashës dhe as me arrogancën qore të Edi Ramës. Ai i qëndroi versionit presidencial se kishte kërkuar gjatë gjithë kohës kompromisin dhe shmangjen e përplasjeve të dhunshme.

Pra, po të supozojmë se gjendemi në një situatë normale, Ilir Meta u soll si një burrë shteti, i cili e respekton piramidën në krye të së cilës gjendet, madje deri edhe procedurën qesharake që kërkon shkarkimin e tij.

Dhe këtu natyrshëm lind pyetja: a shkon ky ceremonialitet institucional me gjendjen aktuale? A ka nevojë për kaq seriozitet me këtë parlament qesharak të mbetur antikushtuetshmërisht me 120 deputetë? A është e domosdoshme pjesmarrja në këtë komision, që bëhet vetëm për të mbytur me propagandë zhvillimin e zgjedhjeve moniste të fshikulluara edhe nga OSBE-ODHIRI? A duhet trajtuar me dinjitet një pushtet që zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me Kolegjin zgjedhor, që vepron si maskë duke mos botuar dekretet në Fletoren Zyrtare, që përdor KQZ-në si leckë dhe tremb gjykatësit e zgjedhjeve me gogolin e vettingut?

Sepse të jetmi të qartë, pas kordialitetit dhe toneve etike të seancës së kësaj të hëne, pas dilemave për shkeljen apo jo të kushtetutës, fshihej fytyra e pushtetit personal dhe autarkik, që ka marrë vendimin për këtë komision, që ka shtypur butonin e kuq të luftës me presidentin, që ka shkruar pyetjet e dordolecëve të tij në atë sallë, e madje që ka vendosur që ajo shfaqe i duhej e qetë e edukuar dhe institucionale.

Ky qe kurthi ku ra dhe Ilir Meta. Ai e trajtoi atë si të tillë. Me merakun skrupuloz për tu dukur si burrë shteti, ai i dha legjitimitet bandës së pushtetit.

Ai nuk duhet të kishte shkelur në atë komision.

Ai duhet ta kishte refuzuar atë farsë “korrekte dhe paqësore”. Aq më pak ai duhet të përpiqej të hiqej si një kryetar shteti që respekton të gjitha palët. Sepse sjellja me normalitet dhe asnjëanësia ndaj palës të cilën ai kishte sot përballë, është në rastin më të mirë një gafë politike. Pikërisht këtë bëri Ilir Meta sot, duke paraqitur si normalë, një pakicë banditësh anormalë./ lapsi.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb