BEOGRAD– Kërkesa kryesore e Kosovës që negociatat të përfundojnë me njohjen e pavarësisë, “nuk do të pranohet nga Beogradi”. Këtë e deklaroi presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç, në prag të fillimit të raundit të ri të dialogut.

“Ne jemi të interesuar që t’i realizojmë gjërat për të cilat jemi dakorduar dhe të shohim nëse ka çështje të tjera për të cilat mund të dakordohemi. Por është e qartë që për statusin e Kosovës dhe Metohisë kemi qëndrime krejtësisht të ndryshme: ata thonë se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se ajo është pjesë e pandashme e Serbisë, dhe nga kjo kurrë nuk do të heqim dorë”, theksoi Nikoliç, duke shtuar se “Serbia nuk do të flas me askend për pavarësinë e Kosovës”.

Tema për të cilën është e interesuar pala serbe, sipas tij, është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Serbia i ka plotësuar gati të gjitha obligimet e veta, ndërsa Kosova nuk e ka plotësuar të vetmin obligim që ka marrë: themelimin e Asociacionit të komunave me shumisë serbe”.

Nikoliç mendon se pala shqiptare “duket se e ka kuptuar se çfarë ka nënshkruar: që të gjitha ato që kërkon Prishtina nga Begoradi, duhet t’ia japë edhe “Zajednicës”. Pa realizimin e këtij obligimi, nuk kemi çfarë të flasim”.

Në pyetjen tonë nëse kjo do të thotë se Serbia do të kërkojë pavarësi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi Prishtina e konsideron Kosovën si shtet të pavarur, Nikoliç përgjigjet: “Po, do të kërkojë pavarësi nga Prishtina. Nëse Prishtina mendon se mund t’i kryejë të gjitha punët e pavarur nga Beogradi, atëherë edhe “Zajednica” duhet të jetë e pavarur nga Prishtina. Kjo ka qenë ide e propozuar nga unë dhe më vjen mirë që është pranuar”.

Nikoliç thotë se tani duhet pritur se si do të interpretohet kjo ide.

Bisedimet në Bruksel, të ndërmjetësuara nga Federica Mogherini, zhvillohen së pari të ndara e më pas takohen delegacionet së bashku. /DW/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb