SERBI– Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç nuk do të vizitojë Kosovën ashtu siç ishte paralajmëruar. Sipas të përditshmes serbe “Vecerjnje novosti”, arsyeja e ndryshimit të planit është se, Prishtina zyrtare në pikën e kalimit mes Kosovës dhe Serbisë kishte lënë të presin për orë të tëra bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit serb.

Nikoliç disa ditë më parë kishte paralajmëruar vizitën e tij në Kosovë, por duket se në momentet e fundit ka ndërruar mendje.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të refuzuar kërkesën e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë së Serbisë për ta vizituar nesër komunën e Shtërpcës në Kosovë.

Refuzimi vjen pasi kërkesa për vizitë në Kosovë, nuk u bë brenda afateve të nevojshyme, ashtu siç parashikohet me marrëveshjen për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërmjet dy shteteve.

Qeveria e Kosovës konsideron se sjelljet e fundit të Serbisë dhe deklaratat e njëpasnjëshme janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërshtetëror, dhe marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për të ndërtuar ura të shëndosha bashkëpunimi në mes dy shteteve dhe popujve.

Po ashtu, ato janë kundër interesit të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët kanë vendosur të jetojnë në Kosovë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: