Pavarësisht momenteve të nxehta që po kalon politika, për të sfiduar temperaturat e larta Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka zgjedhur sërish detin.

Përmes një video disa minutëshe të publikuar në profilin e tij në Facebook, Presidenti Ilir Meta shfaqet duke notuar në det, ndërsa nuk kursen një këshillë për ndjekësit e tij, por njëkohësisht “thumbon” edhe kryeministrin Rama.

“Të dashur miq, më mirë në det se sa në pishinë”,- thotë ai, duke e cilësuar këtë edhe si moton e ditës.

Me këtë mesazh, themi që ka thumbuar Ramën, pasi pak ditë para 30 qershorit kur Presidenti e priste në zyrë për takim, për gjetjen e një zgjidhje politike, kryeministri zgjodhi të vizitonte një kompleks pishinash pranë Presidencës.

Një ditë më parë, Presidenti postoi një tjetër foto buzë detit, teksa po ecte. Meta shfaqej i qetë dhe i relaksuar, ashtu si edhe sot.

Nuk dimë nëse i pari i shtetit ka nisur zyrtarisht pushimet, apo ka përfituar vetëm nga fundjava, por dimë që të hënën Kuvendi pritet të mblidhet posaçërisht për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e tij.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb