Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot homologun e tij sllovak, Sh. T. Z. Peter Pellegrini, i cili është i pari Kryetar Shteti i Republikës Sllovake që viziton Shqipërinë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike, u diskutua procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, avancimi i bashkëpunimit ekonomik, si dhe përkushtimi i përbashkët ndaj integrimit dhe stabilitetit rajonal.
Presidenti Begaj falënderoi Presidentin Pellegrini për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në momente të vështira gjatë pandemisë apo tërmetit të vitit 2019, por dhe për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin evropian.
“Sllovakia është gjithmonë një mbështetëse aktive dhe nxitëse e vendosur e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ajo ka ofruar asistencë, ekspertizë dhe eksperiencë për proceset integruese të vendit tonë në Bashkimin Evropian. I jemi mirënjohës Sllovakisë për mbështetjen!”, – vlerësoi Presidenti Begaj, i cili theksoi faktin se momentalisht në procesin e negocimit për anëtarësim vendi po përjeton transformim nga reformat: “ Ne jemi të vendosur të avancojmë shpejt dhe besojmë në një proces të bazuar në meritë”.
Gjatë takimit kokë më kokë, por dhe në praninë e delegacioneve përkatëse, u theksuan angazhimet për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes dhe përfitim të ndërsjellë për qytetarët e dy shteteve. “Në bisedimet tona vumë theksin te nevoja për të rritur dhe zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe lidhjet tregtare midis dy vendeve tona, të cilat, edhe pse kanë rritje vitet e fundit, mbeten në nivele modeste. Vlerësojmë se ka hapësira dhe mundësi konkrete për të thelluar dhe forcuar më tej bashkëpunimin ekonomik të bashkëpunimit dypalësh”, – u shpreh Presidenti Begaj gjatë shkëmbimit të ideve me Presidentin Pellegrini për rritjen e shkëmbimeve ekonomike e tregtare, tërheqjen e investitorëve sllovakë, rritjen e numrit të turistëve dhe bashkëpunimin në sektorët e bujqësisë, mjedisit dhe shëndetësisë.
Krerët e dy shteteve diskutuan edhe për zhvillimin e Ballkanit dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Në lidhje me Kosovën, Presidenti i Republikës i shprehu homologut të tij mirënjohje që Sllovakia ka njohur pasaportat, ndërsa u shpreh se “Shqipëria shpreson në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për mundësinë e rishikimit të qëndrimit lidhur me Republikën e Kosovës”.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, rikonfirmoi se: “Pozicioni i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, mbështetës i palëkundur i Kosovës, sepse Kosova është pjesë e stabilitetit dhe kontribuuese e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe patjetër që ne do të jemi mbështetësit e saj për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, në organizatat ndërkombëtare dhe në punën tonë për të bërë të mundur sa më shumë njohje të reja për Kosovën dhe patjetër për të biseduar edhe me vende të tjera qe nuk e njohin Kosovën për të shikuar alternativa, siç është rasti i Sllovakisë me njohjen e dokumentit të udhëtimit apo me pasaportën që njihet si dokument”.
Duke marrë si shembull 5 shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e vazhdimësisë se dialogut dhe bisedimeve, duke shprehur besimin se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëjë të mundur arritjen e zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve.