Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se ai nuk e shkarkoi ish-drejtorin e FBI-së James Comey për shkak të hetimeve që zyra e tij po kryente lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane. Një pohim që kundërshton deklaratat e mëparshme të bëra nga vetë ai, se hetimi ishte arsyeja për shkarkimin e zotit Comey.


Në një postim në Twitter zoti Trump shkruante “jo se ka rëndësi, por nuk e kam shkarkuar James Comey-in për shkak të Rusisë!”. Zoti Trump fajësonte “median kryesore të korruptuar” sipas tij, për promovimin e asaj që ai e quante, një rrëfim i rremë rreth arsyeve të shkarkimit të zotit Comey.


Ndërkaq Donald Trump ka intensifikuar fushatën për diskretitimin në sytë e amerikanëve të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller. Ky i fundit nuk i është përgjigjur sulmeve të Presidentit, ndërsa po punon për të paraqitur një raport të hollësishëm për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, për veprimet e njerëzve të afërt me Presidentin Trump si dhe nëse ai ka penguar drejtësinë.


Për mbi një vit, Presidenti Trump i ka quajtur hetimet për Rusinë një “gjueti shtrigash”. Të martën, ai shkoi një hap më larg, duke aluduar se ekipi i Prokurorit Mueller do të ndërhyjë në zgjedhjet e mes-mandatit që mbahen në muajin nëntor, si dhe akuzoi FBI-në se përgjoi fushatën e tij elektorale në vitin 2016, për qëllime politike.

“Si ju duket fakti që infiltruan njerëz në fushatën tonë elektorale? E imagjinoni dot?”, i tha publikut Presidenti Trump.

Ekipi i juristëve të Presidentët vënë në dukje se FBI-ja ishte nën drejtimin e demokratëve kur filloi procesi.

“Është krejtësisht e gabuar që qeveria të përgjojë kandidatin e partisë opozitare. Është një Watergate, një skandal përgjimi… Prandaj, ky është një hetim i manipuluar”, deklaroi Rudy Giuliani, tashmë anëtar i ekipit të juristëve të Presidentit.

Por, ligjvënësit e të dyja palëve politike kanë mbrojtur FBI-në, duke thënë se agjencia veproi drejt për të hetuar kontaktet mes Rusisë dhe anëtarëve të fushatës elektorale Trump.

“Nuk ka asnjë provë për këtë teori përgjimi. Kjo është vetëm një propagandë që Presidenti e ka inciuar dhe e përsërit”, tha Ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Mes kësaj furie, ka vetëm heshtje të plotë nga personi në epiqendër të saj, Robert Mueller.

“Është detyrimi i Prokurorit të Posaçëm të shpërfillë zhurmën dhe të vazhdojë me hetimet”, thotë David Abraham, i Universitetit të Majamit.

Profesori Abraham thotë se avokatët e Presidentit Trump kanë një strategji të thjeshtë: të ngrenë tym.

“Nën udhëheqjen e ish-kryebashkiakut Giuliani, strategjia e administratës ka qenë për të krijuar sa më shumë tymnajë, për ta bërë gjithçka sa më të ngatërruar dhe të komplikuar, në mënyrë që amerikanët të dorëzohen duke thënë se ‘askush nuk e di realisht të vërtetën’,” thotë Profesor Abraham.

Pritshmëritë janë që zoti Mueller të përpiqet të përmbyllë hetimet në muajin korrik apo gusht, në mënyrë që mos të shërbejë si një shpërqëndrim për zgjedhjet e muajit nëntor, nga të cilat vendoset se cila parti do të kontrollojë Kongresin amerikan. Ndërkohë, janë nga më të ndryshmet spekullimet në Uashington se çfarë konkluzionesh do të nxjerrë Prokurori Mueller dhe se si do të reagojë Shtëpia e Bardhë.

(BalkanWeb)

Etiketa: