Presidenti amerikan Donald Trump këmbëngul se muri në kufirin me Meksikën do të ndërtohet, edhe nëse Kongresi nuk i miraton të gjitha fondet që ai kërkon. Udhëheqësit në Kongres thanë të martën se kanë arritur një marrëveshje për buxhetin federal dhe po i kërkojnë Presidentit që ta nëshkruajë atë. Zoti Trump tha se ai nuk është i kënaqur me marrëveshjen, por do të marrë një vendim për miratimin e saj pasi të njihet me hollësitë. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, të dyja palët kanë bërë lëshime për të bërë të mundur marrëvrshjeen mbi buxhetin.


Marrëveshja e kompromisit nuk përfshin 5,7 miliardë dollarët që kërkoi Presidenti Trump për ndërtimin e një muri të ri prej 350 kilometrash, por ajo përfshin 1.4 miliardë dollarë për një gardh prej çeliku prej 90 kilometrash, që do t’i shtohet gardhit ekzistuese prej rreth 1 mijë e 100 kilometrash.


“Nuk jam i kënaqur me marrëveshjen. Nuk e bën punën e duhur, por unë do të gjej fonde të tjera, dhe ne kemi për të ndërtuar njëmur të mrekullueshëm, të fortë, që nuk do t’i lejojë kriminelët, trafikantët e drogës dhe drogat të hyjnë në vendin tonë.” – tha Presidenti.


Kryetari i shumicës në Senat Mitch McConnell shprehu optimizëm për marrëveshjen:

“Unë mendoj se kemi një marrëveshje të mirë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se nuk do të jepet asnjë dollar për murin. Ndoshta tani do të kemi një diskutim se si do të jetë muri apo gardhi…demokratët kërkonin përmirësimin e qendrave të ndalimit… Mendoj se presidenti ja doli…”.

Kryetari i pakicës në Senat Chuck Schumer i bëri thirrje Presidentit ta nënshkruajë marrëveshjen:
“Presidenti nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim që bëri dy muaj më parë, kur patëm një marrëveshje dypartiake dhe ai nuk e nënshkroi, gjë që solli mbylljen e qverisë,”- tha ai.
Presidenti Trump tha të martën se nuk do të ketë një tjetër mbyllje të qeverisë:

“Nuk besoj të kemi një tjetër mbyllje të qeverisë. Nuk do ta bëja këtë. E patëm një mbyllje, për fajin e demokratëve.”

Por ai tha se do të shyqrtonte çdo mundësi për ndërtimin e murit, përfshirë deklarimin e gjendjes së emergjencës kombëtare në kufi, për marrjen e fondeve të nevojshme. Deklarimi i situatës emergjente mund të ndeshet me sfida ligjore, që do ta vononin ndërtimin e murit. Por Presidenti ka privilegjin e ekzekutivit për të marrë disa nga fondet e emergjencës, në se e sheh të nevojshme, tha senatori demokrat Joe Manchin i Virxhinias Perëndimore.:

“Do të shpresoja që ai të mos i marr fondet nga fusha të nevojshme, si përmbytjet apo zjarret masive, apo çdo lloj katastrofe tjetër; ka disa fusha të tjera, që nuk janë aq të nevojshme dhe besoj se ai këtë mundësi është duke shqyrtuar,”- tha zoti Manchin.

Detajet e marrëveshjes për sigurinë e kufirit mbeten për t’u bërë publike dhe ligji duhet miratuar nga të dyja dhomat e Kongresit para se t’i shkojë për firmë presidentit.