Presidenti amerikan Donald Trump i doli në mbrojtje vendimin e tij për të anuluar një takim sekret me Talebanët, ku do të diskutohej rreth tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani. Por pavarësisht deklaratës së zotit Trump se negociatat “kanë vdekur”, ka ende shpresë për paqe. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara sjell më shumë detaje.

Ishte kjo makinë-bombë që shpërtheu javën e kaluar pranë ambasadës amerikane në Kabul që siç tha Presidenti Trump, e nxiti atë të largohej nga tryeza e bisedimeve. Të hënën ai i shpalli “të vdekura” bisedimet e paqes. “Kur dëgjova se ata vranë një nga ushtarët tanë dhe 12 persona të tjerë të pafajshëm, mendova që në asnjë mënyrë nuk mund të takohem në këto kushte, në asnjë mënyrë. Ata bënë një gabim”, tha zoti Trump.

Të shtunën në një postim në twitterit, presidenti Trump njoftoi se kishte organizuar një takim sekret me Talebanët të dielën në rezidencën presidenciale në Camp David, takim që më pas e anuloi për shkak të shpërthimit. Por analistët thotë se kjo mund të mos ketë qenë arsyeja e vetme, nisur nga fakti se sulmet e Talebanëve janë të shpeshta. “Qartësisht Presidenti Trump reagoi ndaj shqetësimit në rritje në Kabul dhe në Uashington, ndaj një marrëveshjeje që Trump e kuptoi se duhej të tërhiqej”, thotë Michael Kugelman, i qendrës Woodrow Wilson.

Shtetet e Bashkuara po negociojnë një marrëveshje për të tërhequr me mijëra trupa amerikane nga Afganistani, në këmbim që Talibanët të ndërpresin lidhjet me grupet terroriste. Talebanët thonë që padurimi i zotit Trump sabotoi bisedimet dhe bënë të ditur se do të vazhdojnë të luftojnë. Megjithatë mund të ketë ende shpresë për paqe.

“Ka një luftë në vazhdim dhe askush nuk e di nëse procesi i paqes do të funksionojë. Por absolutisht mendoj se një marrëveshje është ende e mundur. Mendoj se të gjitha palët në fund të fundit dëshirojnë që kjo marrëveshje të arrihet”, thotë Johnny Walsh i Institutit Amerikan për Paqe.

Presidenti afgan Ashraf Ghani, i përjashtuar deri më tani nga bisedimet mes amerikanëve e talebanëve, u përpoq t’i japë zë qëndrimeve të tij lidhur me procesin e paqes, pas dështimit të tij. “Paqja nuk është e pakushtëzuar. Negociatat pa armëpushim janë të pamundura”, tha President i Afganistanit Ashraf Ghani.

Donald Trump bëri fushatë për t’i dhënë fund luftërave dhe duket i etur për të tërhequr trupat përpara rikandidimit të tij në 2020-n. Veprimet e tij të fundit mund të jenë një lëvizje për të dobësuar pozicionin e Talebanëve në tryezën e bisedimeve.

“Shtetet e Bashkuara po nxitojnë për të dalë jashtë dhe duan një marrëveshje, madje janë të dëshpëruar për një marrëveshje. Talebanët kanë luksin të thonë: nëse nuk na pëlqejnë ato që po na ofrohet, nëse nuk na pëlqejnë lëshimet që na kërkohen të bëjmë, thjesht mund të largohemi sepse po përparojmë në fushë-betejë. Kjo është dinamika që fshihet pas kësaj çështjeje, e cila nuk do të ndryshojë edhe nëse do të rinisin bisedimet”, thotë Michael Kugelman, i qendrës Woodrow Wilson.

Aktualisht Talebanët kontrollojnë më shumë territor në Afganistan sesa në çdo periudhë tjetër prej vitit 2001. Pikërisht këtë viti Shtetet e Bashkuara nisën sulmin ushtarak atje, për shkak të strehimit të Osama bin Ladenit, organizatorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb