Ukraina pret shumë nga takimi i Presidentit Trump me homologun e tij ukrainas Poroshenko. Ata të dy takohen para se Trump të takohet zyrtarisht me Presidentin e Rusisë Putin.

Detajet do të përpunohen deri në minutat e fundit. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti që Poroshenko ende nuk e ka bërë publike axhendën e vizitës së tij në SHBA, të planifikuar për javën që vjen. Mediat në Ukrainë kanë konfirmuar se Poroshenko do të vizitojë Uashingtonin së shpejti. Ministria e Jashtme në Kiev e ka konfirmuar se do të ketë takim mes presidentëve, por nuk e ka saktësuar datën.

Prej fitores së Trumpit në zgedhjet presidenciale në SHBA është folur shpesh në Ukrainë për takimin e nivelit më të lartë në Shtëpinë e Bardhë. Koha e takimit është shumë me rëndësi, sepse Poroshenko dëshiron që të takojë Trumpin para takimit të Trumpit me Presidentin e Rusisë Vlladimir Putin. Kjo i jep mundësinë Poroshenkos që para Putinit t’ia shpjegojë këndvështrimin e tij të luftës në Ukrainë dhe mundësisht t’a fitojë mbështetjen e SHBA-së. Presidenti amerikan dhe ai rus do të takohen për herë të parë në kornizat e takimit të G-20 në Hamburg në fillim të korrikut.

Kievi ka frikë nga marrëveshja Moskë-Uashington

Ngutia e Ukrainës ka të bëjë edhe me deklaratat e Trumpit gjatë fushatës elektorale. Krerët e Ukrainës nuk e pranojnë hapur por është shumë e qartë që Kievi ka frikë nga ndonjë marrëveshje mes Trumpit dhe Putinit në llogari të Ukrainës. Tumpi e ka lavdëruar shpesh Putinin dhe gjatë fushatës ka paralajmëruar zbutjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ka pasur madje edhe paralajmërime për njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë.

Udhëheqësi i fushatës së Trumpit dhe ish-këshilltari i Presidentit të ikur ukrainas në Rusi, Viktor Janukoviç, Paul Manafort, ka dhënë dorëheqja pak muaj para zgjedhjeve, pasi që Kievi ka zbuluar disa pagesa të zeza. Deri tani nuk dihet nëse kjo i ka ngarkuar raportet mes Trumpit dhe Ukrainës.

Trump apelon për paqe

Pas zbulimit të kontakteve mes SHBA dhe Rusisë, në Moskë dëgjohen shumë rrallë fjalë të mira në drejtim të Trumpit. Në prag të vizitës së Poroshenkos në Uashington, Senati amerikan ka vendosur madje edhe sanksione të reja kundër Rusisë. Ndaj Poroshenko mund të jetë më i relaksuar. Ai dhe Presidenti Turmp janë biznismenë dhe miliarderë, por kurrë nuk janë takuar më parë. Pas fitores së Trumpit ka pasur dy kontakte të drejtpërdrejta mes adminsitratave të tyre. Në shkurt Poroshenko është takuar me zv/Presidentin Mike Pence gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih. Në Kiev u tha se SHBA mbështetë zbatimin e Marrëveshjes së Minskut. Ndërsa në maj Trumpi ka pritur në Uashington ministrin e Jashtëm të Ukrainës Pavlo Klimkin – të njëjtën ditë kur ka takuar edhe homologun e tij rus Sergej Lavrov. Presidenti apeloi përmes twitter – “Hajde të bëjmë paqe!”

Roli i ri i SHBA

Këto takime me ministrat e jashtëm mund të jenë sinjal se pas kuintave po flitet për impulse të reja në procesin paqësorë për Ukrainën. Me muaj të tërë po spekulohet se SHBA do të jetë më aktive se deri tani në krizën atje. Kievi shpreson mbështetjen amerikane. Aktualisht Gjermania dhe Franca janë duke drejtuar të ashtuquajturin “Formati i Normandisë”, në negociatat me Rusinë dhe Ukrainën.

Klimkin ka deklaruar pas takimit në maj se Trump dhe Poroshenko do të ndodhë atëherë kur të dihet se cili do të jetë roli i SHBA-së në zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Në këto këshillime janë të përfshirë edhe Berlini dhe Parisi.

Gazetari ukrainas Serhij Rudenko beson se takimi Trump-Poroshenko mund të sjellë lëvizje në krizën e Ukrainës. “Mund të ketë një format të ri të bisedimeve me pjesëmarrjen e SHBA”, beson ai. Por shumëçka do të varet edhe nga takimet e ardhshme të Trumpit me Putinin. Rudenko mendon se “çelësi i zgjidhjes së konfliktit edhe më tej është në duart e Rusisë”./DW/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: