Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “Plani i fitores” i Ukrainës në luftën kundër Rusisë varet nga vendimet e shpejta që do të merren nga aleatët këtë vit.
Zelensky ka deklaruar në një konferencë të përbashkët për media me shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kiev të premten, se Ukraina planifikon ta përdorë një hua të propozuar prej shumë miliardë dollarësh nga Bashkimi Evropian, për mbrojtjen ajrore, energjinë dhe blerjet e armëve, raporton Reuters.
Zelensky veçoi rëndësinë e presidentit amerikan Joe Biden lidhur me planin e fitores, për të cilin ai tha se të dy liderët do të diskutojnë kur të takohen. Udhëheqësi ukrainas do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme.
“Shumica e vendimeve nga plani varen veçanërisht nga ai. Edhe nga aleatët e tjerë, por ka disa pika që varen nga vullneti i mirë dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara”, është shprehur Zelensky.
Zelensky ka dhënë pak të dhëna për përmbajtjen e planit, duke treguar vetëm se ai synon të krijojë kushte të pranueshme për Ukrainën pas më shumë se 2 vjet e gjysmë lufte.
“I gjithë plani bazohet në vendime të shpejta nga partnerët tanë. Plani bazohet në vendime që duhet të ndodhin nga tetori në dhjetor dhe jo duke vonuar këto procese”, ka thënë Zelensky.