Presidenti kinez, Xi Jinping ka bërë thirrje për përafrim të shteteve dhe ka cilësuar “budallallëk” supremacinë raciste, në kohën kur janë rritur tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara. Këto janë deklaratat e para publike të presidentit kinez, prej kur është përshkallëzuar konflikti tregtar mes SHBA-së dhe Kinës, me rritjen e tarifave nga të dyja palët.


Xi nuk ka përmendur SHBA-në, apo luftën tregtare në mënyrë të drejtpërdrejtë, mirëpo është fokusuar në prezantimin e Kinës si shtet “i hapur”. Ai ka thënë se qytetërimet e ndryshme nuk janë krijuar për t’u përplasur.


“Të menduarit se një racë apo kulturë e dikujt janë superiore dhe insistimi në transformimin apo zëvendësimin e qytetërimeve tjera është budallallëk dhe praktikë shkatërruese”, ka thënë ai në një konferencë në Pekin, të organizuar nga ministria kineze e Propagandës.


“Nuk ka përplasje në mes të qytetërimeve të ndryshme, vetëm na duhet që të kemi sy për të vlerësuar bukurinë e të gjithë qytetërimeve”, ka thënë ai. Presidenti kinez ka shtuar se Kina vetëm do të jetë më e hapur ndaj botës në të ardhmen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: