Presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky të shtunën i ka kërkuar homologut amerikan Joe Biden ta lejojë Ukrainën të kryejë sulme me rreze të gjatë brenda Rusisë me armë të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke folur para udhëtimit vendimtar javën e ardhshme në Washington, ku Zelensky do të takohet me Bidenin dhe kandidaten për presidente të demokratëve, Kamala Harris dhe do të mbajë fjalim në Kombet e Bashkuara, presidenti ukrainas ka thënë se do të paraqesë “plan fitoreje” për t’i dhënë fund luftës.

Vizioni i tij për “paqe të drejtë” nuk është bërë publik. Por në një konferencë për media me “Observerin” në Kiev, Zelensky ka thënë se në plan përfshihet kryerja e sulmeve me raketa perëndimore brenda Rusisë – diçka që Londra dhe Washingtoni e kanë refuzuar deri më tani.

“Kanë frikë nga një eskalim”, tregon Zelensky.

Britania e Madhe ka shprehur gatishmëri ta lejojë Ukrainën të përdorë raketat britanike “Storm Shadow”. Por Shtëpia e Bardhe mbetet skeptike. Kryeministri britanik Keir Starmer nuk arriti ta bindë Bidenin në një takim privat në Washington javën e kaluar.

Zelensky konfirmoi se nuk ishte dhënë drita jeshile, pavarësisht muajve të tëra lobimi të nivelit të lartë.

“As SHBA-ja dhe as Britania e Madhe nuk na kanë lejuar t’i përdorim këto armë në territorin e Rusisë, kundër ndonjë objektivi dhe në çdo distancë”, ka thënë ai.

I pyetur se si mund ta bindë Bidenin kur të takohen të enjten, Zelensky përmendi faktin se presidenti në largim kishte “ndryshuar opinionet në të kaluarën pas diskutimeve të vështira”.

“Bideni mund të forcojë Ukrainën dhe të marrë vendime të rëndësishme që Ukraina të bëhet më e fortë dhe të mbrojë pavarësinë derisa ai është president i SHBA-së. Mendoj se në fund të fundit është një mision historik”, ka shtuar Zelensky.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb