Presidentja dhe kryeministri i Kosovës janë zotuar se kanë prioritet vendosjen e drejtësisë sa i përket krimeve të luftës të kryera në Kosovë nga forcat ndaj shqiptarëve, teksa kanë kujtuar të vrarët në Krushë të Madhe 24 vjet më parë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ende fati i 64 banorëve të Krushës së Madhe mbetet i pazbardhur, të cilët figurojnë në listën e personave e të zhdukurve me dhunë.
“Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, njësojë sikur edhe gjenocidi që kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar. Ndaj sot dhe gjithnjë nuk do të ndalemi së kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i patriotit të madh, Ukshin Hoti dhe të gjithë krushianëve të tjerë të zbardhet”, tha ajo.
Sipas presidentes Osmani, Kosova ka bërë “luftë çlirimtare, ndërkaq Serbia kreu gjenocid mbi popullin tonë”.
“Ne duhet të besojmë e të angazhohemi të gjithë së bashku për ta mbrojtur të vërtetën, e cila po tenton të tjetërsohet dhe për ta vendosur drejtësinë”, theksoi ajo.
Memorialet në Krushë të Madhe dhe të Vogël i vizitoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se fati i të pagjeturve është prioritet për ekzekutivin që ai udhëheq. Megjithatë, ai tha se Serbia po vazhdon të “mohojë krimet” e kryera në Kosovë.
“Ata nuk janë thjesht të pagjetur, ata janë të zhdukur me dhunë dhe dy janë preokupimet tona kryesore. E para është hapja e arkivave në Beograd, me qenë se atje është e vërteta për planet gjenocidale të Serbisë që rezultuan me qindra masakra në Kosovë. Dhe e dyta është zbulimi i varrezave të reja masive dhe dihet që një gjë e tillë ka hasur në shumë pengesa në Serbi, ku në pesë varreza masive në vitet e shkuara janë zbuluar afër 1.000 trupa të shqiptarëve. Por, natyrisht që ne dyshojmë se ka edhe të tjera, mirëpo asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, e ndihmuar kërkesa dhe hulumtimi për varreza të tjera”, tha Kurti.
Masakra në fshatin Krushë e Madhe është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë. Aksioni i forcave policore e ushtarake serbe në këtë fshat nisi më 25 dhe zgjati deri më 27 mars të vitit 1999.
Në këtë masakër u vranë 241 qytetarë, nga ta shtatë fëmijë, pesë gra (njëra shtatzënë) dhe kanë mbijetuar 25 të plagosur rëndë. Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL