Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti akuzat se Serbia dhe Rusia po vazhdojnë të tentojnë që të destabilizojnë Kosovën, por edhe rajonin.
Osmani këtë deklaratë e bëri pasi mori pjesë në Samitin e katërt të Bashkësisë Politike Evropiane të mbajtur në Pallatin Blenheim, në Mbretërinë e Bashkuar.
“Kemi qenë në tryezën, me shumë liderë të tjerë, ku është diskutuar për mbrojtjen e demokracisë dhe luftimin e dezinformimit.
Edhe pse shteti ynë nuk ka lejuar asnjëherë influencë ruse apo të forcave të tjera malinje, megjithatë përderisa shteti fqinj, Serbia, përdoret si satelit i Rusisë dhe përderisa edhe vetë fatkeqësisht i takon mentalitetit të shekullit të kaluar, ata do të vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë jo vetëm shtetin tonë, por edhe gjithë rajonin dhe nëpërmjet kësaj gjithë kontinentin evropian”, tha Osmani.