Studentët e Universitetit Luarasi të ciklit Bachelor dhe Master u diplomuan ditën e sotme, përmes një ceremonie të veçantë. Presidentja e Universitetit “Luarasi”, Fabiola Hysenbelliu deklaroi gjatë fjalës së saj në këtë ceremoni  se “është finalizuar pas disa vitesh punë, marrëveshja për tre programe të përbashkëta studimi me universitetin prestigjioz britanik, London School Of Economics (LSE). Presidentja e Luarasit, si ish-studentet e London School Of Economics (LSE) tha se ky universitet po punon për të arritur marrëveshje të reja me Universitetet më të mira ndërkombëtare, për të sjellë te Luarasi dhe në Shqipëri, standardet më të mira në arsim.

“Është kënaqësi për mua si Presidenten e Universitetit Luarasi, që të jem sot këtu me ju, në një moment kaq të rëndësishëm për të diplomuarit tanë. Ne jemi këtu për të njohur punën e palodhur dhe përkushtimin e të diplomuarve tanë. Këto vite studimi kanë kërkuar sakrifica, përkushtim dhe ambicie të madhe dhe sot kemi kënaqësi që këto janë shpërblyer. Kjo nuk është dita juaj e fundit në Universitetin “Luarasi”, pasi do jemi këtu nëse do vijoni jetën pasuniversitare dhe për t’ju ndihmuar në zgjedhjen e karrierës suaj.

Në ditën time të parë të masterit, kur rektori na bëri prezantimin, iu drejtua studentëve dhe tha “nuk është e vështirë të futesh në universitet, por e vështirë është të dalësh prej tij”! Sot unë them që ju ia keni dalë, duke dalë prej Universitetit dhe duke u diplomuar.

Do ndaj me ju një lajm të mirë, që pas 7 vitesh punë të përkushtuar, në shënojmë një moment të ri dhe të rëndësishëm për arsimin në vendin tonë, duke prezantuar tre programe te reja studimi, me diplomë të dyfishtë, në bashkëpunim më Universitetin e Londrës, nën drejtimin akademik të “London School of Economics” i cili është universiteti i parë i renditur në Londër për vitin 2024, duke kaluar Oxford-in dhe Cambridge.

Në këtë moment të rëndësishëm, jemi krenarë të shpallim hapjen e programeve të reja të studimit, një arritje që është fryt i një bashkëpunimi me “London School of Economics”, një nga universitetet më prestigjiozë në botë, dhe sjell në vendin tonë standardet më të larta të arsimit dhe na jep mundësi të ofrojmë njohuri dhe aftësi të avancuar për studentët.

Kjo iniciativë, nuk është vetëm një hap përpara për Universitetin tonë, por një angazhim i ri për të sjell në Shqipëri njohuri dhe praktika më të mira ndërkombëtare. Këto programe të reja janë një dëshmi e përkushtimit tonë për t’ju ofruar studentëve një arsim cilësor, të avancuar, të drejtuar drejt tregut global, duke synuar që ata të jenë të pajisur me njohuri të avancuara në fusha të ndryshme. Jemi duke bashkëpunuar dhe me një universitet tjetër prestigjioz, për të ndërtuar ura të reja zhvillimi”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb