Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha deklaroi se reforma në uniformat blu do të vijojë. Gjatë prezantimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hoxha tha se emërimi i Ilir Prodës është hapi i parë i ndryshimeve që sipas tij do të prekin strukturën e policisë në qendër dhe drejtoritë vendore.

Hoxha tha se do të hapet gara për zgjedhjen e drejtuesve të Policisë në 12 qarqet e vendit. Ministri i Brendshëm kërkoi rezultate të shpejta nga Policia e Shtetit në funksion të përmbushjes së objektivave të saj.

“Nga sot prej Policisë së Shtetit ne presim qëndrueshmërinë e rezultateve, por sidomos rritjen sa më të shpejtë të cilësisë së shërbimit në të gjithë sektorët. Do merren në analizë të gjitha nivelet. Ne duam të arrijmë ato objektiva, e persëris nuk ka asnjë objektiv të pamundshëm sado ambicioz të duket në pamje të parë. Emërimi i drejtorit të ri është hapi i parë që do të pasohet nga disa ndryshime në qendër dhe drejtoritë vendore, për të plotësuar kuadrin e reformave që kemi nisur.

Në procesin e përzgjedhjes së stafeve dhe drejtuesve të policisë nuk do të ndikojnë faktorë të tjerë përpos meritës. Promovimi në karrierë me meritokraci dhe integritet profesional. Dua që sa më shpejt të formatojmë Policinë e Shtetit atë që tashmë ka arritur një standard shumë të lartë, sidomos në një kohë kur Shqipëria po hyn në fazën e anëtarësimit në BE. Jemi realisht në një fazë me zhvillime të rëndësishme historike, angazhimi dhe kontributi i dhënë ndër vite nga drejtuesit e policisë dhe paardhësit tuaj do të marrin padiskutim vlerat e duhura“, u shpreh ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb