Arsenal-PSG është një nga super sfidat që rezervon mbrëmja e sotme në Champions League, një ndeshje që po e pret me padurim edhe Mikel Arteta, trajneri i Arsenal. Kjo është një provë force për “topçinjtë”, një rival i madh për të treguar se sa vlejnë, fakt që e pranon edhe tekniku spanjoll i cili në këtë ndeshje do të ketë përballë Luis Enriquen:

“Mezi e pres. Këto janë mbrëmjet që ne dëshirojmë të përjetojmë kundër rivalëve të jashtëzakonshëm. Jemi gati për këtë”, u shpreh Arteta i cili kërkon fitoren e parë në këtë edicion të Champinons League pas “X” kundër Atalanta-s:

“Sigurisht që dua ta fitojë këtë takim. Ne e dimë që pas barazimit kundër Atalantës duhet të reagojmë pasi ndeshjet sa vijnë e zvogëlohen, do të jetë shumë e rëndësishme për ne. Nuk dëshirojmë të zhgënjejmë askënd. Si unë, ashtu edhe Luis Enrique, dëshirojmë më të mirën për klubet tona”, u shpreh trajneri i Arsenal.

Me padurim e pret edhe Luis Enrique këtë takim, por vëmendjen më të madhe në konferencë për shtyp e mori vendimi i tij për të përjashtuar Dembele: “Nëse dikush nuk respekton detyrimet ndaj klubit do të thotë që nuk është gati. Këto janë vendime të vështira, por jam 100% i sigurt”, u shpreh trajneri i PSG:

“Arsenal? Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër një prej skuadrave më të mira në Evropë, më e mira në botë pa top do të thoja. Arteta i ka dhënë identitet këtij ekipe, e ka kthyer të jetë konkurrues. Kemi stil të njëjtë loje, por dhe të ndryshëm, mezi pres ta takoj”, theksoi Luis Enrique në konferencë për shtyp.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb