TIRANË- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka prezantuar sot para personelit të shtabit të Forcës Detare komandantin e ri të kësaj Force, gjeneral brigade Ylber Dogjani. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave tona të Armatosura, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë etj.

Kodheli, theksoi se misioni fisnik i kësaj Force në mbrojtje të kufijve detarë të Republikës së Shqipërisë është me të vërtetë një mision që duhet për çdo ditë dhe më tepër respektuar, për dinjitetin që karakterizon këtë forcë, për dinjitetin që karakterizon Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

“Kufijtë e kaltër shqiptarë janë të paprekshëm, ashtu siç është i paprekshëm territori ynë, siç është e paprekshme siguria jonë. Shqipëria është pjesë e Aleancës NATO dhe si e tillë është pjesë e një mbrojtjeje kolektive që e bën territorin e Republikës së Shqipërisë të tillë, pra të paprekshëm”, – është shprehur Kodheli.

“Por, – nënvizoi ajo, –  projeksioni ynë për të ardhmen është çdo ditë dhe më tepër i komplikuar për shkak të komplikacioneve që vijnë dhe rreziqet nga të gjitha anët, qofshin këto edhe nga deti. Ndaj është në detyrimin tim kushtetues, të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, të drejtuesit tashmë të ri të Forcës Detare dhe të gjithëve ju bashkë, që të jemi në një linjë dhe të punojmë me devotshmërinë për të cilën jemi betuar”.

Në fund të fjalës së saj, ministrja e Mbrojtjes i uroi edhe njëherë gjeneral brigade Dogjanit suksese në punën e tij fisnike, duke kërkuar njëherazi nga e gjithë trupa e kësaj Force që të jenë me të dhe në suport të tij për realizimin e detyrave kushtetuese që u janë ngarkuar.

Ndërsa gjeneral brigade Ylber Dogjani në fjalën e tij u shpreh se, “unë vij në këtë pozicion të ri, i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për vendin dhe rolin që ka kjo komandë për sigurimin dhe ruajtjen e sovranitetit të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë, zbatimin e ushtrimit të ligjshmërisë në det, duke bashkëpunuar ngushtësisht me strukturat e tjera të FA, si dhe me institucionet shtetërore me interesa në hapësirën detare”. Ai shpalosi më tej disa nga objektivat dhe synimet e tij për realizimin me sukses të detyrës që sapo ka marrë, si dhe garantoi ministren Kodheli se do ta ushtrojë detyrën e tij konform ligjit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb