Nga 30 shtatori i këtij viti dy kartëmonedha të reja do të hidhen në qarkullim. Bëhet fjalë për kartmonedhën 200 dhe atë 5000 lekëshe. Dizenjo e re sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko vjen e rifreskuar dhe me elementë sigurie të përmirësuar duke i dhënë lekut shqiptar pamjen e një kartëmonedhe moderne.

Ndonëse këto dy kartëmonedha të reja do hidhen në qarkullim sërish të vjetrat do të mbeten për tu hequr nga tregu gradualisht. Ndërsa vit pas viti do të hidhen në qarkullim prerje të tjera.Vitin e ardhshëm do të kemi në qarkullim një kartëmonedhë të re 10 mijë lekëshe. Kjo valutë do të mbajë figurën e poetit të njohur Asdreni, shoqëruar me vargje nga Himni Kombëtar.


Banka e Shqipërisë i quan këto ndryshime një ngjarje shumë të rëndësishme, një moment të veçantë, jo vetëm për këtë institucion, por për gjithë shtetin shqiptar.

Fjala e plotë e Sejkos:

Është kënaqësi e veçantë t’ju kemi sot mes nesh në këtë ditë që shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Bankës së  Shqipërisë dhe të monedhës sonë kombëtare.

Historia e shtetit modern shqiptar ka pjesë të pandashme të saj historinë e krijimit dhe modernizimin e sistemit monetar dhe atij financiar. Monedha shqiptare është shoqëruesi emblematik i kësaj historie zhvillimi, duke mbartur kështu tiparet dalluese të çdo epoke nëpër të cilën ky zhvillim ka kaluar.

Ndaj nuk është aspak rastësore që përpjekjet e para për krijimin e një banke kombëtare me qëllim, ndër të tjera, edhe emetimin e kartëmonedhës shqiptare, vijnë menjëherë pas aktit madhor shtetkrijues të Shpalljes së Pavarësisë. Një vit pas themelimit të saj në vitin 1925, Banka Kombëtare e Shqipnis prezanton dhe hedh për herë të parë në qarkullim serinë e plotë të kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare.

Zhvillimet e mëvonshme, në centralizimin e më pas modernizimin e shtetit shqiptar, diktuan nevojën për përmirësime të vazhdueshme të kartëmonedhës në përmbajtje dhe pamje, por duke mbetur në çdo rast përfaqësuese e stadit ekonomik, social dhe politik të vendit. Kjo për arsye se monedha kombëtare, përmes tematikës dhe stilizimit të saj artistik, mbetet një kumtuese besnike e zhvillimit, kulturës dhe historisë së një kombi. Nisur nga këto atribute, monedha përbën në vetvete një element të rëndësishëm të identitetit kombëtar.

Seria aktuale e kartëmonedhave shqiptare, e krijuar përpara më shumë se 20 vitesh, ka si tematikë pasqyrimin e epokave historike nëpër të cilat ka kaluar historia e kombit shqiptar, nëpërmjet paraqitjes së portreteve të personaliteteve më përfaqësuese të tyre.

Kjo tematikë, e mishëruar në secilën kartëmonedhë përmes portreteve të disa prej figurave më të ndritura kombëtare, evokon momentet më të rëndësishme të historisë së kombit tonë, në përpjekjet e tij për liri dhe prosperitet. Ajo përmban të gjitha etapat historike, duke filluar nga antikiteti, mesjeta, rilindja kombëtare, pavarësia e vendit, dhe do të përmbyllet me simbolet e flamurit kombëtar dhe himnit të flamurit në prerjen më të re, atë me vlerë nominale më të lartë, 10,000 Lekë, duke i përzgjedhur këto simbole si përfaqësuese dhe përbashkuese për çdo shqiptar.

Seria që ne prezantojmë sot përbën një seri të re, pavarësisht se ajo pasqyron të njëjtën tematikë me atë ekzistuese. Kjo sepse seria e re e kartëmonedhave vjen e rikonfiguruar dhe e ristilizuar artistikisht, duke mundësuar aplikimin e teknologjive dhe zhvillimeve më të fundit në industrinë e prodhimit të kartëmonedhave. Më konkretisht, kjo do të thotë: siguri më e lartë e parasë shqiptare përmes përforcimit të elementeve të sigurisë – që mbetet prioriteti kryesor i Bankës së Shqipërisë – përdorim i teknikave inovative të shtypit dhe materialeve të prodhimit për të rritur rezistencën; optimizim i përmasave të kartëmonedhës; por dhe rifreskim artistik i pamjes së saj.

Seria e re e kartëmonedhës shqiptare gërsheton sigurinë maksimale, pamjen moderne, komunikimin artistik të mesazhit historik dhe rezistencën më të lartë gjatë përdorimit. Ajo është rikonceptuar e plotë me 6 prerje: 200, 500, 1.000, 2.000, 5.000 dhe 10.000 Lekë. Ndërkohë që dy prerjet e para të kësaj serie, ajo 200 Lekë dhe 5000 Lekë – emetime të vitit 2017, janë gati për t’u hedhur në qarkullim më 30 shtator 2019, kartëmonedhat e tjera të serisë do të hidhen në qarkullim në mënyrë graduale gjatë 3-4 viteve të ardhshme dhe do të kenë vlerë ligjore krahas prerjeve ekzistuese.

Prezantimi i serisë së re dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në rritjen në vijimësi të cilësisë dhe sigurisë së kartëmonedhave në qarkullim. Të dy këto tipare, cilësia dhe siguria, garantojnë integritetin e pacenueshëm të kartëmonedhës sonë në raport me publikun dhe prezantojnë denjësisht Bankën e Shqipërisë dhe vetë shtetin shqiptar.

Në këtë kontekst, ceremonia e sotme shënon kurorëzimin e një pune voluminoze të nisur katër vjet më parë, që, përveç stafit të bankës, përfshiu aktivisht dhe intensivisht kontributin e çmuar të shumë akademikëve, historianëve, albanologëve, numizmatëve dhe ekspertëve të kompanive më të njohura në botë në fushën e prodhimit të kartëmonedhave. Ndërthurja dhe bashkëpunimi i specialistëve nga fusha të ndryshme ekspertize, së bashku me risitë teknologjike më të fundit në shtypin e kartëmonedhave, mundësuan përsosjen dhe prezantimin e një serie kartëmonedhash të thjeshta në përdorim, bashkëkohore dhe të mbështetura në një balancë ndërmjet risisë dhe traditës së deritanishme.

Të nderuar pjesëmarrës, Plotësimi i sigurt dhe eficient i nevojave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe garantimi i besimit të publikut në paranë tonë, si një nga përgjegjësitë kryesore të Bankës së Shqipërisë, ka qenë në fokus të punës edhe në realizimin e serisë së re.

Ndaj, jam shumë i nderuar që sot, për herë të parë për sytë e publikut, zbuloj serinë e re dhe, si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, përmes firmosjes simbolike, i hap dyert rrugëtimit të dy kartëmonedhave të para të kësaj serie për në duart e publikut shqiptar.

Duke uruar që kartëmonedhat e reja të mirëpriten nga publiku, ju prezantoj me pamjen e tyre. Gjithashtu, dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj për mirëmbajtjen dhe trajtimin sa më dinjitoz të kartëmonedhave, për të ruajtur jetëgjatësinë, cilësinë dhe integritetin e tyre. Nga 30 shtatori 2019, kartëmonedhat e serisë së re 200 Lekë dhe 5000 Lekë do të kenë kurs ligjor në Republikën e Shqipërisë dhe do të përdoren si mjet pagese, së bashku me kartëmonedhat ekzistuese.

 

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb