Këtë fundjavë, më 8 dhe 9 korrik, në hapësirat COD pranë Kryeministrisë dhe “REJA” pranë Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë do të shfaqet premiera e filmit “Human” në regjinë e fotografit të njohur belg Yann Arthus-Bertrand.

“Human” është një përmbledhje e tregimeve dhe të imazhit të botës sonë, e cila përqendrohet në thelbin e asaj çka do të thotë të jesh njeri. Nëpërmjet këtyre historive plot dashuri dhe lumturi, si dhe urrejtje e dhunë, “HUMAN” na sjell ballë për ballë ‘Tjetrin’, duke na bërë të reflektojmë mbi jetën tonë.

Toka jonë shfaqet në formën e saj më sublime përmes imazheve ajrore të pa publikuara kurrë më parë, kjo e shoqëruar me muzikë relaksuese, duke rezultuar në një himn mbi bukurinë e botës dhe duke siguruar një moment për të marrë frymë dhe për të reflektuar mbi veten.

Filmi “Human” vjen në Tiranë si bashkëpunim i PriFest – Prishtina International Film Festival, Bashkisë Tiranë dhe qendrës COD. Ky film u shfaq në edicionin e fundit të PriFest në prill të këtij viti në Kosovë, kurse shfaqjet në COD (8 korrik, ora 18.00) dhe REJA (9 korrik, ora 21.00) në Tiranë do të jenë premiera për Shqipëri.

“Human” pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Venedik vitin e kaluar dhe që atëherë nuk ka pushuar së udhëtuari nëpër botë për të përmbushur edhe qëllimin që ka, që sa më shumë audiencë të kenë mundësi të shijojnë këtë film që trajton shumë tema të rëndësishme të vëna në një figurë vizive që të lë pa frymë.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: