Pritan Prifti ka reaguar pas kallëzimit të ILDKPKI në Prokurori ndaj tij, për fshehje të pasurisë. Duke e quajtur këtë një mashtrim publik, ish-ministri i Energjetikës thotë se shifrat janë të sajuara.

Ndërsa e ka cilësuar “surprizë” këtë ngjarje, Prifti akuzon kreun e Kuvendit Ilir Meta, se i ka kërkuar Shkëlqim Ganajt që të kallëzojë penalisht atë, si dhe Tom Doshin, dhe Andis Harasanin.

“Isha në takim me Albert Çaçin kur u njoftova. Ishte surprizë për mua, që kjo deklaratë erdhi sot. Meta ka thirrur Shkëlqim Ganajn, dhe i kërkoi të më kallëzojë mua, Doshin dhe Harasanin. Dhe Ganaj shpërfilli ligjin, dhe zbatoi urdhrat e Metës. Kam qenë i informuar më parë për këtë çështje, pasi më kërkuan info për pasurinë, dhe unë dorëzova dokumentet. I firmosa, dhe dokumentet do dorëzoheshin deri në 30 qershor. Ky është persekutim politik dhe shpërdorim detyre, pasi nuk u lejua një proces normal. Ligji nuk parashikon kontroll mbi ish-zyrtarët e larguar prej dy vitesh. Paratë janë marrë me kredi për fabrikën e tullave. Kam fshehur 5 mijë lekë në llogarinë e djalit”, thotë Prifti.

Sipas ish-ministrit të Energjitikës ky kallëzim penal ndaj tij është ngritur për dy arsye. Së pari, ai thotë se kjo vjen pasi është mik i Doshit, dhe së dyti “sepse i trembën kthimit të tij në politikë.

“Ka dy arsye pse e bëjnë, e para se jam mik i Doshit, dhe arsyeja e dytë sepse i tremben rikthimit tim në politikë. Kanë frikë pasi mbështes Albert Çaçin. Po po, kanë frikë se nëse rikthehem në politikë u dalin pisllëqet. Meta ka prona në tre kontinente, por askush nuk heton. Pyes Metën, a ka qenë bashkë-punëtor i Sigurimit, se ne nuk na trembin duke rikthyer kohën e diktaturës”, thotë Prifti.

Ndërsa është shprehur se mbështet kandidaturën e Albert Çaçit, Prifti thotë s pas fitores së tij do të rikthehet në politikë. Prifti shprehet se “Do deklarojmë në autoritetet ndërkombëtare shkeljet e Metës. Premtoj se do e mund një dite Metën”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb