Në një spektakël të jashtëzakonshëm në formë kujtese të miqësisë mes baletit dhe modës, prima balerina Svetlana Zakharova i dha jetë mes emocionesh, në skenën e teatrit të famshëm Bolshoi të Moskës një Coco Chanel ‘’madhështore dhe të vetmuar’’.

Në total, 85 kostume u hodhën në skicime unike të shtëpisë Chanel për këtë spektakël, i pari në këtë format, i cili starton sot në mbrëmje. Realizimi i tyre iu besua ateliesë së Bolshoit. Ato kishin përgjegjësinë që asgjë të mos pengonte lëvizjet e njëzet balerinave që do të marrin pjesë në shfaqje.

”Ky balet nuk asgjë të përbashkët me një paradë veshjesh, ky do të jetë një spektakël i vërtetë, për një grua e cila revolucionarizoi konceptin e modës femërore, nocionin e lirisë”, u shpreh Svetlana Zakharova gjatë prezantimit në Moskë.

Prima balerina 40 vjeçe, në teatrin Bolshoi që nga 2003, shprehet se që në nisje të projektit kërkoi të kuptonte ndjenjat që trazonin shpirtin e vizionares në botën e modës, simbolit të elegancës franceze dhe lirisë së gruas.

Është vërtetë interesante të luash rolin e një gruaje që ka jetuar vërtetë, me gëzimet e saj, dashuritë, zhgënjimin, ndarjet dhe vetminë, pohon balerina. Ajo që vlen të theksohet në këtë spektakël është se gjithçka është krijuar nga zero, muzika, koreografia, libreti.

I konceptuar posaçërisht për Svetlana Zakharova nga tre rusë, kompozitori Ilia Demoutski, koreografi Iouri Possokhov dhe skenaristi Alexeï Frandetti, baleti “Gabrielle Chanel” do të sjellë në skenë momentet që lanë gjurmë në jetën e stilistes së madhe franceze, e cila vdiq në 1971 në moshën 87 vjeçe./ATA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb