NGA ZOJE JAKAJ
Roli i burrit dhe i gruas në post-shoqërinë komuniste ka ndryshuar shumë. Më herët, ndoshta para viteve ’60-’70, roli i gruas si nënë dhe zonjë shtëpie ishte shumë më i madh; ajo detyrë parësore kishte rritjen, ushqyerjen dhe kujdesin e saj ndaj fëmijëve që sillte në jetë. Rreziqet e vdekshmërisë, mjetet e mjekimit, si dhe mungesa e qendrave këshillimore, kërkonin praninë e nënës afër në mënyrë të vazhdueshme. Dikur mbizotëronte ideja se, pa praninë e burrit, kurrsesi një grua s’e mbante dot peshën e familjes dhe mirërritjen e ushqyerjen e fëmijëve, kurse sot roli i gruas si nënë është më i vogël, por roli i saj si grua në shoqëri është shumë herë më i madh. Sot edhe vetë fëmijët i shohin dy prindërit të barabartë dhe respektojnë më tepër prindin që sjell të ardhura në familje. Nga një sondazh i zhvilluar në disa shkolla fshati dhe qyteti, shumica e fëmijëve ndjenin të njëjtën frikë, atë të humbjes së punës së dy prindërve; dikur nuk do përgjigjeshin me të njëjtën frikë, por vetëm për atë të humbjes së punës së babait. Puna e një gruaje dhe kur ajo është në çift i siguron asaj një garanci, dhe më shumë të drejta në familje e para fëmijëve të saj. Edhe nëse ndodh një divorc, ato nuk kanë frikë të ribëhen beqare, e nuk ndihen gra të vockla para fëmijëve të tyre, si dikur kur, përveç vuajtjes vetjake dhe shpirtërore, ajo edhe përçmohej e ishte e detyruar të rrinte në trysninë e dhunës, për shkak të nevojës ekonomike në familje, vetëm për të rritur dhe ushqyer fëmijët e saj…. Po sa është rritur roli i gruas dhe për çfarë ka më tepër nevojë familja sot në kohën e teknologjisë së tepruar para syve të fëmijëve?

1- Prindër që shpesh i rrëmben jeta dhe puna e tyre e për pasojë, fëmijët ua besojnë shpesh, kujdestarëve, dadove dhe gjyshërve. Nuk konsultohen sa duhet me librin, psikologun dhe psikiatrin e Pediatrisë dhe në konsultoret e lagjeve se çfarë duhet të dinë para se të bëhet prindër.
2- Nëna dhe baballarë që u lejojnë shpesh më tepër liri fëmijëve të tyre, për shkak se ndihen disi në faj nga mungesat e gjata te fëmijët e tyre. Shmangini sa të mundeni këto mungesa. Prania juaj vlen shumë më tepër se një Ipad i tipit të fundit për t’i kursyer vuajtjen e mungesës suaj!
3- Kujdes, se fëmijët krijojnë varësi nga filmat porno në internet, nga televizioni dhe jeta e vetmuar. Kjo u bëhet organike dhe ti je vonë për ta ndrequr gabimin, nëse në fillim të edukimit të tij neglizhon.

4- Kujdes nga lojërat e fatit rreth banesës suaj dhe duhet të kuptoni mirë rrezikun që ju afrohet nga frekuentimi i tyre, ku shpesh prindërit, për të realizuar punët e së nesërmes, i dërgojnë vetë me koshiencë të plotë fëmijët në këto lojëra. Ky element kthehet në mani te fëmijët dhe pasojat do jenë fatale në të ardhmen.

5- Dy prindërit duhet të kombinojnë kohën e tyre me të fëmijëve dhe t’ua bëjnë të qartë orarin e qëndrimit online. Lojërat elektronike të çfarëdolloji, shkaktojnë dëm të madh edhe për shikimin dhe të ushqyerin. Ka fëmijë pa fund sot me probleme të theksuara shikimi dhe obezë, për shkak të jetës sedentare.

6- Prindërit duhet të organizohen për të parë filma me tema edukative me fëmijët dhe jo t’i lënë të lirë në zgjedhjen e tyre, pasi kanë tendencë të shikojnë filma horror, triller apo pornografikë, dhe televizioni e teknologjia sot ua mundëson një gjë të tillë fëmijëve. E, nëse nëna dhe babai nuk kujdesen, ata ndërtojnë modelet e gabuara në kokën e tyre, ku në të ardhmen i imitojnë me shumë dëshirë dhe pasion.

7- Shpesh prindërit nuk e dinë që fëmijët kur rriten, shprehen për ta brenda rretheve të tyre që, ‘pleqtë e mi nuk kuptojnë nga jeta, janë të dhënë vetëm pas punës, nuk dinë të argëtohen, nuk janë bashkëkohorë’. E, në fakt, gjithë brezat kanë kundërshti, por që hendeku të mos jetë i madh, nëna dhe babai duhet t’u qëndrojnë afër, që fëmija t’u flasë për gjithçka, që ai, të mësuarit dhe respektin për familjen të mos e përqafojë nga filmat, rruga dhe rrjetet sociale. Ndryshe ti rrezikon shumë nga mosvëmendja gjatë rritjes së fëmijës tënd.

8- Nëna dhe babai duhet të kenë të drejta dhe detyra të barabarta edhe kur njëri pjesëtar nuk është punësuar.

9- Një fëmijë në moshën 8, 9, 10 apo 11 vjeç, nuk e di akoma se çfarë ndryshimesh përjeton me trupin dhe trurin e tij, ndaj duhet ta orientojmë mirë, ndryshe ai është i rrezikuar. Dhe në këtë moshë, vetëm dy prindërit janë ata që e kanë këtë detyrë, të cilën duhet ta bëjnë mirë, nëse do kenë në të ardhmen fëmijë të qetë dhe të suksesshëm, e, në mos të suksesshëm, njerëz normalë, por të denjë për shoqërinë.
10- Prindërit e kohës së sotme kanë sfida të vështira: të rrisin fëmijë të mbarë për vete dhe të aftë për të përballuar pengesat e pafundme që u ofron koha. Prindërit janë mes dilemës së fitores e suksesit në punë, jetë, karrierë dhe të qenit një prind i përkushtuar…. Nëse doni të zgjidhni mes këtyre dilemave, prindërimi i mirë është baza e qetësisë suaj shpirtërore. Nëse fëmija juaj nuk ka shëndet të mirë psikosocial, nuk është i lumtur, i qetë dhe nuk ka arritje në mësime, ti asnjëherë s’ke për të qenë njeri i realizuar në brendësinë dhe inkoshiencën tënde, edhe nëse je shumë i realizuar në profesionin tënd.

Zoje Jakaj
Dr. Shkencash dhe pedagoge

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: