Drejtori i Arsimit në Këshillin për Myslimanët e Shqipërisë (KMSH), Eltron Karaj, komentoi situatën e krijuar pas tragjedisë së fundit në Tiranë, ku një 14-vjeçar humbi jetën nga një bashkëmoshatar i tij.
I ftuar në studion e “Open” në News24, Karaj shprehu shqetësimin për mungesën e mbështetjes psikologjike dhe edukimit të duhur në shoqërinë shqiptare për problemet që lidhen me fëmijët dhe adoleshentët.
“Edhe njerëzit më të vetdijshëm në shoqërinë tonë, për problematikat e tilla me fëmijët, shpesh nuk dinë ku të drejtohen për ndihmë dhe mbështetje. Nëse u sugjerohet që të kërkojnë ndihmën e një psikologu apo psikiatri, ekziston një stigmë sociale që i ndalon të veprojnë”, tha Karaj. Ai theksoi se përballë situatave të tilla tragjike, shumë prindër dhe qytetarë e kanë të vështirë të kuptojnë se mund të kërkojnë ndihmë profesionale.