Nga Petrit HALITI

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, me sa duket e ka kthyer në hobi gjuetinë e preteksteve për të acaruar marrëdhëniet me Shqipërinë. “Radio Serbia International” shpërndau në 10 janar deklaratën e tij se Shqipëria ka ndërmarrë një akt absolutisht në kundërshtim me dëshirën e shprehur prej saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sepse në lumin e mesazheve të mijëra qytetarëve shqiptarë nga e gjithë bota, të dërguara me sms për Vitin e Ri dhe të shfaqura në muret e selisë së Kryeministrisë në Tiranë, është gjendur edhe një foto e hartës së dronit të famshëm të lëshuar gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri. Mbi këtë pretekst, shefi i diplomacisë serbe starton një aksion diplomatik në disa drejtime. Së pari, në drejtim të Shqipërisë, ku siç shkruan gazeta “Kurir” e datës 10 janar, ministri ka udhëzuar një përçapje proteste nga ana e ambasadës së Serbisë në Tiranë. Së dyti, kundër Perëndimit, i cili sipas tij ndjek politikën e standarteve të dyfishta në raport me Serbinë dhe Shqipërinë, duke mbajtur anën e Shqipërisë. Së treti, kundër Bashkimit Europian, i cili sipas supozimeve të deklaruara të ministrit të Jashtëm serb, do të kishte organizuar mbledhje të posaçme të Komisionit Europian, nëse një gjë e tillë do të ishte bërë në Serbi. Madje, për ta hiperbolizuar çështjen, ai nuk lë pa atakuar edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili sipas tij, do të mblidhej për një rast të ngjashëm në Serbi, megjithëse ministri i Jashtëm serb e di fare mirë se protektorja e Serbisë, Rusia, nuk do të lejonte me veto që të futej në rend të ditës një mbledhje që dënon Serbinë. Në mënyrë të tërthortë, ministri i Jashtëm serb kërkon që edhe Komisioni Europian në Bruksel, edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së në Nju Jork, të mblidhen të diskutojnë mesazhet e qytetarëve shqiptarë, të shfaqura në muret e Kryeministrisë në ditët e Vitit të Ri. Duket se shefi i diplomacisë serbe i shkon prirjes për të acaruar rast e pa rast marrëdhëniet me Shqipërinë. Për këtë të krijohet bindje nga një element i drejtpërdrejtë i dinamikës aktuale të marrëdhënieve dypalëshe, që ai përfshin në mesazhin e tij diplomatik. Tërheq vëmendjen fakti se ai thekson se shfaqja e hartës së mësipërme në muret e Kryeministrisë në Tiranë në urimet e Vitit të Ri është absolutisht në kundërshtim me ftesën që i është drejtuar kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të vizituar Tiranën. Nuk mund të mos bëhet pyetja se përse Daçiç e bën këtë lidhje dhe përse atij i duhet që të sajojë me urgjencë një pengesë për vizitën e ardhshme të kryeministrit serb në Tiranë? Është e njohur se shefi i diplomacisë serbe nuk është në hënë të mirë me kryeministrin e qeverisë së tij. Madje, po të ishte për kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ministri i tanishëm i Jashtëm nuk do të ishte fare anëtar i kabinetit të sotëm serb. Por ka qenë një ndërhyrje dhe presion i drejtpërdrejtë i Rusisë në punët e brendshme të Serbisë, që e detyroi kryeministrin ta përfshinte Ivica Daçiçin në kabinetin qeveritar. Ja çfarë shkruan në një artikull të saj në “Peshçanik”, në datën 3.1.2015, aktivistja e njohur serbe e të drejtave të njeriut, ish-ambasadore dhe ish-deputete, Vesna Peshiç: “Daçiçi është i ngarkuar për ruajtjen e interesave të Rusisë. Sepse nuk ka se si të shpjegohet ndryshe prania e Partisë së tij Socialiste në këtë qeveri. Është një e fshehtë publike se postin e ministrit të Punëve të Jashtme ai e ka marrë sipas urdhrit nga Moska, njëlloj si edhe ministri i Energjetikës, i cili ka një rëndësi shumë të madhe për instalimin e ndikimit rus”. Kjo situatë raportesh personale kryeministër-ministër i Jashtëm, padyshim ka edhe paralelin e vet në përplasjen e qëndrimeve diplomatike dhe në marrëdhëniet me vendet e tjera të rajonit. Konstatohet lehtë një kristalizim i kësaj përplasjeje mes disa qëndrimeve të qeverisë dhe disa qëndrimeve të Ministrisë së Jashtme në marrëdhëniet e Serbisë me shtetet e tjera. Nëse kryeministri ka një tendencë për të mbajtur profil të ulët të problemeve dhe të tensioneve me shtetet e tjera, sepse kjo rrit reputacionin e tij në sytë e ndërkombëtarëve, Ministria e Jashtme duket se shkon në krah të kundërt, duke krijuar probleme dhe sidomos duke i bërë publike edhe ato probleme të Serbisë me shtetet e tjera, që si rregull trajtohen në kanale diplomatike. Kjo ka ndodhur në marrëdhëniet e Serbisë me Kroacinë, me Kosovën, me Bosnjë-Hercegovinën, me Malin e Zi, etj. Kjo është manifestuar edhe në ecurinë e marrëdhënieve të Serbisë me Shqipërinë. Është interesante të theksohet se ministri i Jashtëm e ka bërë si rregull që të ndërmarrë deklarata kundër Shqipërisë edhe në prag të momenteve dhe të hapave të afrimit mes dy qeverive. Një gjë të tillë bëri ministri i Jashtëm, në 1 nëntor të vitit të kaluar, pra dhjetë ditë para vizitës së Edi Ramës në Beograd, duke folur publikisht kundër Shqipërisë, e cila gjoja kishte penguar pjesëmarrjen e Serbisë në një program atlantik, në një kohë që dihet publikisht se Serbia është zyrtarisht kundër integrimit atlantik dhe ka adoptuar doktrinën e neutralitetit pikërisht për të bllokuar çdo përpjekje të mundshme drejt integrimit atlantik. Kjo dihet se është edhe kërkesa, madje vija e kuqe, që Rusia i ka vendosur  Serbisë që të mos hyjë në NATO. Nga ana tjetër, ishte jashtë çdo norme diplomatike përçapja zyrtare, që ndërmori Ministria e Jashtme e Serbisë kundër protokollit qeveritar gjerman në samitin e Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në 28 gusht 2014 dhe kundër vendimit të Berlinit, që e drejta e fjalës përfaqësuese në emër të rajonit në fund të punimeve të samitit iu dha kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Burime diplomatike bëjnë të ditur se edhe në të gjithë historinë e përgatitjeve të vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd, vjeshtën e vitit të kaluar, me ftesë të Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Ministria e Jashtme e Serbisë ka luajtur një rol obstruktiv me zvarritjen e tratativave edhe të marrëveshjeve të planifikuara për t’u nënshkruar. Madje, burime serbe bëjnë të ditur se edhe ftesa zyrtare e kryeministrit të Serbisë dërguar kryeministrit të Shqipërisë gushtin e vitit të kaluar,  është mbajtur katër ditë në sirtarët e Ministrisë së Jashtme serbe dhe pastaj i është dorëzuar palës shqiptare. Nuk ka ndodhur në praktikën ndërkombëtare që kryeministri i një shteti t’i dërgojë një homologu ftesë me firmën e tij për një vizitë zyrtare dhe Ministria e Jashtme e atij vendi ta vonojë katër ditë, pa asnjë arsye, dërgimin e ftesës. Nisja e ditëve të para të vitit të ri me deklarata dhe hapa, që nuk i kontribuojnë marrëdhënieve normale mes dy vendeve dhe as qetësisë e klimës së bashkëpunimit në shkallë rajonale, është një dukuri që kërkon dhe duhet të ketë shpjegimet e veta. Është një koincidencë fatkeqe, sepse kryeministrat e Shqipërisë dhe të Serbisë kanë rënë dakord dhe kanë planifikuar një vizitë të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Tiranë, që pritet të jetë një fazë e re e rëndësishme e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nga ana tjetër, në 23 janar është planifikuar të zhvillohet në Romë, për herë të parë, mbledhja trepalëshe e ministrave të Jashtëm të Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të një nisme të re të diplomacisë italiane për forcimin e bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit. Nuk është e qartë se përse ministri i Jashtëm serb mendon se deklaratat dhe hapat e tij tensionuese i shërbejnë nevojës së krijimit të një klime të përshtatshme në prag të takimeve kaq të rëndësishme diplomatike dypalëshe dhe rajonale.

Shpjegimet që mund të jepen lidhur me këtë prirje të diplomacisë serbe për acarimin e marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë, me Kroacinë, me Kosovën, etj., mund të jenë dy. Së pari, rivaliteti politik dhe diplomatik mes kryeministrit serb dhe ministrit të tij të Jashtëm. Duhet pasur parasysh se Aleksandër Vuçiç, në fushatën e tij kundër korrupsionit shtetëror dhe krimit të organizuar në Serbi, ku duhet pranuar se ka arritur suksese të rëndësishme dhe të vlerësuara në Perëndim, ka hapur edhe disa dosje të nxehta, që kanë shkaktuar pakënaqësinë e paraardhësit të tij Ivica Daçiç, i cili ka qenë gjithashtu dhe ministër i Brendshëm. Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm kërkon që t’i kundërvihet dhe të afishojë një vijë tjetër më tensionuese në fushën e marrëdhënieve me botën e jashtme, gjë që nuk shkon në favor të reputacionit ndërkombëtar të kryeministrit. Nga ana tjetër, nuk duhet përjashtuar edhe ndikimi, loja ballkanike, strategjia dhe roli i Rusisë në promovimin e një linje të acarimit të marrëdhënieve të Serbisë me shtetet e tjera të rajonit. Në mënyrë të veçantë, pas shpërthimit të krizës ukrainase nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë, Moska ka një interes strategjik në rritje, që rajoni të mos ketë qetësim, që bashkëpunimi ballkanik dhe integrimi europian i rajonit të pengohen dhe bllokohen dhe që nëpërmjet tensioneve t’i hapet rruga zgjerimit të influencës ruse në rajon. Është e kuptueshme se rolin kryesor për realizimin e kësaj strategjie ruse e merr aleati i saj i vetëm strategjik në Ballkan, që është Serbia. Natyrisht, ndër më aktivët tregohen politikanët dhe zyrtarët e lartë serbë, të cilët te Rusia kanë hipoteka dhe proteksione të posaçme personale. Mund të jepen disa shpjegime për gjenezën e prirjes së shefit të diplomacisë serbe për hobin e acarimit vend e pa vend të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Njëri mund të lidhet me vendorigjinën e tij të lindjes, që është Prizreni në Kosovë dhe që atij me mentalitetin e kolonit mund t’i duket ende si prona e humbur nga shqiptarët. Një shpjegim tjetër mund të jetë formimi i tij i ngurosur ideologjik, politik e racial,  si zëdhënës i partisë së Sllobodan Millosheviçit, në vitet më të egra të konflikteve në ish-Jugosllavi nga 1992 në vitin 2000. Sepse vetëm një filozofi raciste mund të frymëzojë kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, në vitin 2013 të deklarojë se nëse “Shqipëria na tejkalon në zhvillimin ekonomik, kjo do të thotë se ne si popull duhet të kryejmë vetëvrasje kolektive”. Dhe për të bindur opinionin publik se këto deklarata nuk janë rastësi, në 16 mars 2014 ai deklaron: “Do të isha i trishtuar kur fëmijët e mi pas dhjetë vitesh të flasin që edhe Shqipëria është Perëndim”. Në një gjenezë të tillë nuk ndihmon për katarsis perëndimor as  fraku i ministrit të Jashtëm dhe as kënga italiane “O sole mio”, që Daçiç e ka bërë rregull ta këndojë në çdo ceremoni diplomatike, për të krijuar një përshtypje për një trend perëndimor. Janë disa elementë sqarues, që të ndihmojnë të kuptosh se përse hobi e shefit të diplomacisë serbe për të gjetur pretekste dhe për të sajuar sebepe për acarimin e marrëdhënieve me Shqipërinë nuk duket vetëm një profil emocional dhe personal i tij.

(os.de/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: