Gjatë vitit të fundit kam ndarë përvoja të ndryshme botërore me ndërtesa të vjetra teatrosh, disa ndërtuar nga pushtues që para Luftës II Botërore.


Dhjetëra teatro të rinovuar e rindërtuar, pas rrënimit nga koha ose zjarri; ose ndërtuar nga e para, pasi janë shembur nga tërmetet apo bombardimet; ose të zgjeruar sipas nevojave të kohës, pa u zëvendësuar nga teatrot e rinj, të ndërtuar mu përbri tyre, nga Vroclavi, Praga e Shkupi e kudo në Europën Lindore.


Gjatë 21 viteve që kanë kaluar nga mbyllja e parë e Teatrit Kombëtar, me urdhër të ish-ministrit të Kulturës Edi Rama, nuk kam hasur askund tjetër në Europë përvojë si kjo që po ndodh me Teatrin Kombëtar.


Vitin e kaluar, duke kërkuar informacione për ndërtimet e bëra nga kolonizatorët italianë në Libi, Greqi e Afrikë, në gjysmën e parë të shekullit XX, zbulova dhe ndava përvojën e shkëlqyer të Asmarës, kryeqytetit të Eritresë, një vendi skajshmërisht të varfër e diktatorial në Afrikën Lindore, që ka ruajtur të paprekur qendrën historike dhe për këtë arsye, ka siguruar në vitin 2016 statusin e “trashëgimisë botërore” nga UNESCO.

Më poshtë po sjell shembullin e Teatrit Kombëtar të Ugandës.

Uganda, një tjetër vend i varfër i Afrikës Qendrore, pa dalje në det, u kolonizua nga britanikët në fund të shekullit XIX dhe e fitoi pavarësinë vetëm në vitin 1962.

Në vitin 1959, britanikët krijuan me ligj dhe ndërtuan Qendrën Kombëtare të Kulturës në Kampala, kryeqytet i vendit. Pjesë e këtij kompleksi, që shtrihej në mbi 14 600 m2, ishin Teatri Kombëtar, një parking me 120 vende, Fshati i Zanateve dhe një restorant. Qendra Kombëtare e Kulturës kishte (dhe ka) në administrim edhe një galeri artesh, në një truall tjetër.

Deri në vitin 2007, kur u bë një meremetim i fasadës, Teatri Kombëtar nuk njohu ndërhyrje të tjera restauruese, apo modernizuese.

Në vitin 2016, qeveria miratoi një dokument të titulluar Koncepti i Rizhvillimit të Qendrës Kombëtare të Kulturës të Ugandës, i cili propozonte një projekt rreth 100 milionë dollarësh, që përfshinte ndërtimin e kullave 36-katëshe mbi truallin e Teatrit Kombëtar, njërës prej 51 ndërtesave të trashëgimisë historike të Kampalas.

Qeveria e justifikonte vendimin e saj për shembjen e Teatrit Kombëtar me pretendimet se:

Çatia e rrafshët e sallës ishte e papërshtatshme me klimën tropikale të vendit dhe kishte rrjedhje uji.
Çatia e skenës përmbante asbest, që duhej hequr e zëvendësuar me diçka të padëmshme.
Skena ishte e vogël për prodhime të mëdha skenike.
Salla me vetëm 377 vende ishte e vogël për kërkesat e kohës.
Parkingu ishte i keqpërdorur, pasi kishte vetëm 120 vende, ndonëse zinte mbi 4 mijë metër katrorë.
Tualetet ishin të vjetër dhe duhej rinovuar rrjeti i ujërave të zeza.

Duket si film i parë nga ne, apo jo? I tillë duket edhe vazhdimi.

Nisur nga këto pretendime, qeveria propozonte ndërtimin e një qendre të re kulturore, me 4 salla, zyra, apartamente, disa restorante, qendër të zanateve, qendër të mjekësisë tradicionale, sallë ekspozitash, laborator të arteve vizuale, galeri arti, qendër gjuhësh, sallë konferencash, parking, një hotel me 5 yje dhe zyrat e Ministrisë së Kulturës.

Mbi të gjitha, në vend të ndërtesës ikonike në formë pianoje të teatrit, që qeveria ugandeze e shpalli “simbol të kolonizatorëve britanikë”, propozohej ndërtimi i kullave në formën e një “adungu”, një instrument me tela, tradicional i Ugandës veriperëndimore.

Asgjë nga këto pretendime e premtime nuk i bindi artistët e teatrit dhe muzikës në Uganda. Ata deklaruan se projekti bëhej për t’u shërbyer interesave private të “bizneseve të lidhura me politikën”, se Teatri Kombëtar mund të rinovohej me shumë pak shpenzime dhe e sfiduan qeverinë të publikonte titujt e pronësisë mbi truallin, për të provuar se nuk e kishte shitur tashmë.

Polemikat vazhduan në publik për gjashtë muaj me radhë, por në ndryshim nga sa ndodhi e po ndodh në Shqipëri, artistët nuk u detyruan të dalin në protesta të përnatshme, apo të pushtonin teatrin.

Në qershor 2017, qeveria ugandeze deklaroi se të gjitha lajmet e përhapura në media për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave ishin të rreme dhe se kjo fushatë ishte bërë qëllimisht për t’i nxitur artistët t’i kundërviheshin asaj (qeverisë).

Qeveria shpalli planin e rinovimit të plotë të Teatrit Kombëtar, me një kosto prej rreth 730 mijë dollarësh, të financuar tërësisht nga buxheti dhe ky projekt u realizua brenda 6 muajsh.

Diçka më shumë se një vit pas fillimit të polemikave, në fund të vitit 2017, Teatri Kombëtar i Ugandës u rihap për publikun.

Etiketa: