SHKODER- Dhjetëra banorë të qytetit të Shkodrës kanë dalë sot në protestë kundër prishjes së banesave të tyre, për ndërtimin e parkingut të stadiumit “Loro Boriçi”. Mësohet se banorët kanë shprehur pakënaqësi për çmimin shpronësimit ndërsa kanë kërkuar të mos preken banesat e vjetra.

Banorët shprehen se nuk janë kundër ndërtimit të stadiumit pasi është në të mirë të qytetit, por duke qenë se ka mundësi tjera pa dëmtuar shtëpitë e banimit parkimi të ndërtohet aty ku është mundësia.

Rreth 150 banorë të lagjes “Ahmet Haxhia” kanë deklaruar se çmimi i vendosur për kompensimin është shumë i ulët dhe kanë kërkuar ti jepet vlera reale truallit. Ndërkohë ata kanë kërcënuar se do të përshkallëzojnë protestat në rast të mospërmbushjes së kërkesave të tyre. “Ne nuk do lejojmë ndërtimin e ri këtu, pa plotësimin e disa kërkesave. Të mos prishen banesat e vjetra qindravjeçare; të jepet vlera reale e çmimit të truallit. Në të kundërt ne do të përshkallëzojmë protestat dhe nuk do të lejojmë prishjen e banesave”, janë shprehur banorët.

Janë rreth 30 shtëpi banimi, një pjesë e të cilave mbi 100 vite të vjetra që pritet të shemben për ndërtimin e parkimit të stadiumi. Të gjithë banorët posedojnë dokumente të rregullta, ndërsa vlera e kompensimit për metër katror është 8300 lekë për truall ndërsa për godinë 10.000 lekë që është shumë larg vlerës së tregut në Shkodër. Ky është edhe shqetësimi kryesor i banorëve të cilët kërkojnë që të ndërtohet stadiumi por të mos shkatërrohet çdo gjë që kanë investuar gjithë jetën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb