DURRES- Policia e Durrësit parandalon një vrasje në Manzë. Sapo janë vënë në dijeni të ngjarjes, uniformat blu kanë ndërhyrë, duke arrestuar tre persona, të cilët siç konfirmon policia ishin vrasës me pagesë.
Policia sqaron se dy prej vrasësve me pagesë ishin nga Sukthi dhe 1 nga Durrësi. Policia e Durrësit thotë se njëri prej të arrestuarve është anëtar i bandës së Ilir Xhakjas.
Të arrestuarit janë arrestuar: Gazmend Dervishi 38 vjeç, banues në Shkozet, Durrës; Dritan Nikolli 38 vjeç, banues në Sukth, Durrës; Bruno Shehu 31 vjeç, banues në Durrës.
Policia thotë se shtetasit e mësipërm, janë eksponentë me rrezikshmëri të lartë kriminale, me preçedentë penalë të mëparshëm, në fushën e veprave penale kundër personit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Të njëjtat burime sqarojnë se arrestimi i tyre u bë “Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, Efektivat e Komisariatit të Policisë Shijak, në afërsi të Fabrikës së Tullave në Maminaz, identifikuan mjetin tip Benz, me xhama të zinj, me targa gjermane HTB564, me drejtues shtetasin Gazmend Dervishi dhe pasagjerë shtetasit Dritan Nikolla dhe Bruno Shehu”.
Efektivat e Policisë i kanë bërë me shenjë të ndalojnë, por drejtuesi i mjetit është larguar me shpejtësi. Kjo ka bërë që policia ta ndjekë për rreth 30 minuta deri sa kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit dhe të personave që ndodheshin në mjet.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Benz dhe në banesat e shtetasve të mësipërm,, i’u gjetën dhe i’u sekuestrua në cilësinë e provave materiale:
• një armë zjarri tip automatik model 56;
• një pistoletë me mulli, kalibër 38;
• dy krëhëra me 60 fishekë;
• automjeti tip Benz me targa gjermane HTB564;
• dy kapuça- maskë;
• tre palë doreza;
• dy shishe benzinë 1.5.litra;
• 2 celularë.
Atentati që ata do kryenin në thelb është një konflikt midis dy grupeve kriminale për prishje të pazareve në fushën e lëndëve narkotike dhe lidhet më një tentativë vrasje midis tyre.
Policia sqaron se: “Shtetasit e mësipërm, kishin planifikuar që pasi të kryenin aktin kriminal do të digjnin makinën dhe do të largoheshin me një automjet tjetër”.
Drejtoria e Policisë Durrës, nuk jep më shumë detaje mbi objektin e sulmit dhe personat e përfshirë për arsye hetimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale ”Vrasja e mbetur në tentativë” parashikuar në nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal.
Ja veprat penale të klanit i “Xhakja”, me vendndodhje në Katund Sukth
Vëllezërit Ilir dhe Arben Xhakja janë autorët e vrasjes së komisarit Adem Tahiri në Katund të Sukthit.
Në 1994, Ilir Xhakja ka qëlluar me armë në lokalin e Qerim Malokut, në fshatin Sukth, është arrestuar, por më tej është liruar. Gëzhojat e gjetura në skenën e krimit, korrespondojnë me ato të gjetura në skenën e krimit të vrasjes së qytetarëve Gentian Gjoka dhe Petrit Lyti në 1998, në fshatin Hamallaj.
Në 1998, të vëllezërit Ilir dhe Agim Xhakja kanë vrarë në fshatin Hamallaj qytetarin Gentjan Gjoka.
Në 1998, Ilir Xhakja, bashkë me persona të tjerë kanë vrarë qytetarin Qerim Maloku në Katund Sukth, një ngjarje që është zgjidhur në vitin 2003, kur u gjend arsenali i armëve të bandës “Xhakja”. Ai po hetohet për këtë vrasje.
Në 1998, Ilir Xhakja ka vrarë, në prani të shumë dëshmitarëve, qytetarin E. Shega nga Peqini, gjatë varrimit të kushëririt të tij (i biri i dajës) Agim Xhaka, vëllanë e Arbenit, sepse E. Shega kishte vrarë Agimin në Krrabë, Tiranë, katër vite më parë, për shkak trafikimit të femrave në Itali. Kjo çështje është po ashtu e pazbuluar, pavarësisht se është kryer në publik. Të dy ish-policët, U. Koka dhe M. Zhiti, kanë qenë të pranishëm në vrasje.
Në korrik 1999, i gjithë klani Xhakja (Azem, Ilir, Bardhi – zv.kryetar i Komunës së Katundit të Ri, Genti dhe bashkëpunëtorë të tjerë) kanë qëlluar të gjithë anëtarët e klanit Maloku, me anë të një arsenali që përfshinte edhe tanke, duke u shkatërruar edhe shtëpitë. Ata u arrestuan nga forcat speciale dhe armët e tyre u konfiskuan, përfshirë këtu mjete të blinduara dhe gjithashtu dy femra moldave. Mbas gjashtë muajsh burgim, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Durrës i liroi. Kjo ngjarje u bë e njohur dhe si rrjedhojë, avokati i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Durrës, Shkëlqim Xhemollari, u përjashtua nga puna.
Në mars 2003, Ilir Xhakja dhe të tjerë kanë vrarë qytetarin Rudin Shahini nga Katundi Sukth në Sallmone, për t’u hakmarrë mbas daljes së këtij nga burgu pasi ai kishte vrarë xhaxhanë e tij, Hamdi (babanë e Arbenit). Gjatë kësaj ngjarjeje u konfiskua një arsenal armësh të llojeve të ndryshme dhe ekspertët arritën në përfundimin, se një nga armët ishte përdorur në vrasjen e Qerim Malokut në 1998. Edhe kjo ngjarje është e pazbuluar.
Të gjithë anëtarët janë të përfshirë në trafik femrash, droge dhe armësh, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali. Shumica e klanit “Xhakja” kanë tendenca të theksuara kriminale për vrasje, trafik droge dhe prostitucioni.
Në Mars 2006, pati një përpjekje për të sulmuar Fatbardh dhe Arben Xhakajn në fshatin Sallmone, në komunën Xhafzotaj, ku Arbeni u plagos.
(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)
