Prishtina dhe Ballkani kanë ndarë pikët në një ndeshje interesante që u zhvillua të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së 14-të të AlbiMall Superligës së Kosovës. Përballja përfundoi me rezultat 1:1. Bleart Tolaj ishte ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 32-të, duke kaluar Ballkanin në epërsi me një gol të bukur nga vija e 16-metërshit pas një aksioni të organizuar mirë nga mysafirët.

Megjithatë, Prishtina nuk u dorëzua dhe riktheu ekuilibrin në pjesën e dytë. Në minutën e 61-të, Leotrim Kryeziu shënoi për vendësit, pas asistimit të shkëlqyeshëm të Najeeb Yakubu, duke siguruar një pikë të vlefshme për bardhekaltrit. Pas këtij barazimi, Ballkani vazhdon të mbajë pozitën e dytë në tabelë me 26 pikë, ndërsa Prishtina renditet në vendin e katërt me 22 pikë.
Ndërkaq, në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, që u luajt më herët, Suhareka dhe Ferizaj barazuan pa gola (0:0). Ndërkohë, java e 14-të e kampionatit do të përmbyllet të hënën me përballjen mes Dritës dhe Llapit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb