Qeveria e Kosovës, përmes një deklarate hedh poshtë, siç thuhet, pretendimet nga aktorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, se masa prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, janë drejtuar kundër qytetarëve serbë të Kosovës.

Këto pretendime, Qeveria e Kosovës i konsideron “të pavërteta, të paqëndrueshme dhe të papranueshme”.
“Ky vendim sovran i Kosovës, vjen si rezultat i pengesave të vazhdueshme që Serbia po ia bën vendit tonë”, thuhet në deklaratën e Prishtinës zyrtare.

Qeveria sqaron se nga kjo masë mbrojtëse përjashtohen të gjitha donacionet për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.

“Kjo nënkupton donacionet për kisha dhe objektet fetare; misionet diplomatike ose konsullore dhe personeli i tyre, përveç personelit të punësuar vendor, kanë të drejtë të importojnë mallra, të liruara nga tatimi doganor, që janë për përdorim zyrtar dhe ekskluziv nga misioni ose për përdorim personal ekskluziv të personelit të misionit, përveç personelit të punësuar në vend”, theksohet në deklaratë.

Po ashtu, masa “nuk aplikon tarifa për importet e mallrave të financuara nga fitimet e granteve të dhëna nga qeveritë, agjencitë qeveritare, organizatat qeveritare apo joqeveritare që veprojnë jashtë apo brenda Republikës së Kosovës, të dhëna për Qeverinë apo përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndihmuar programet dhe projektet humanitare si dhe ato të rindërtimit në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Njëherësh, sqarohet se tarifat nuk vlejnë as për dërgesat dhe lirimet për KFOR-in dhe EULEX-in. Njësoj, thuhet se tarifa nuk vlen as për mallrat që barten në bagazhin privat të udhëtarëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb