Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Llazar Dejanoviqin me tetë muaj burgim dhe një gjobë prej 10.000 eurosh, pasi ai arriti marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë lidhur me pjesëmarrjen në protestën e dhunshme të 29 majit 2023 në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzoi Dejanoviqin për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm.
Avokati i Dejanoviqit, Lubomir Pantoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se në dënimin e tij me burgim është përfshirë edhe koha që ai e ka kaluar në paraburgim prej 20 qershorit të këtij viti, që nënkutpon se atij i kanë mbetur vetëm katër muaj burgim për t’i shlyer.
Përveç Dejanoviqit, në Kosovë deri tani janë arrestuar edhe dhjetëra persona të tjerë për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por shumica kanë arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë.
Dhuna në Zveçan kishte shpërthyer pasi serbët lokalë patën kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Si pasojë e dhunës kishin mbetur të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë.