PRISHTINE- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të sigurisë “Germia Hill”, e cila po zhvillohet në Prishtinë. Kodheli në fjalën e saj u shpreh se “Ndaj me ju shqetësimin e përbashkët që rrjedh për shkak të situatës jo fort komode të sigurisë. Kur them shqetësimin e përbashkët kjo s’ka të bëjë vetëm me Ballkanin Perëndimor, por ka të bëjë me një shqetësim mbarëbotëror, i cili vazhdon të jetë në rritje për shkak të gjithë ngjarjeve dhe situatave aspak të këndshme, madje shpeshherë brutale që ndodhin përreth nesh dhe sidomos në kufijtë jugore dhe lindore të vendeve të NATO-s dhe të Europës në përgjithësi”.

“T’i tregojmë njëri – tjetrit si i kemi bërë detyrat e shtëpisë, në rastin e Shqipërisë, si ajo ka mundësuar anëtarësimin në NATO para 6 vjetësh, apo eksperiencën pozitive të Kroacisë dhe Sllovenisë, dy vende që janë në BE dhe NATO. Apo të tregojmë punën e jashtëzakonshme dhe mbështetjen e madhe që ne i dhamë Malit të Zi duke qenë pjesë dhe zë i fuqishëm i politikës së dyerve të hapura NATO. Për shkak se Mali i Zi i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe për shkak të mbështetjes së Shqipërisë dhe Kosovës dhe vendeve të tjera padyshim, Mali i Zi mori ftesën për t’u anëtarësuar dhe besoj në Samitin e Varshavës thjesht dhe vetëm do bëhet realitet edhe me letra” tha Kodheli.

Kodheli në vijim të fjalë pohoi se “Bazuar në mbrojtjen e përbashkët, bazuar në bashkëpunimin për sigurinë dhe menaxhimin e krizave, NATO i ka shumë të qarta detyrat e shtëpisë së saj, por njëkohësisht duke qenë i ndryshëm nga BE-ja ka të qartë rrugën sesi vendet do të vinë tek kjo organizatë pa i detyruar. Unë jam e bindur që në Ballkanin Perëndimor mund të ketë ndonjë vend që nuk ka dëshirë të bëhet vend anëtar i NATO-s. Do të bëhet anëtar i BE-së por jo domosdoshmërish i NATO-s. Është i lirë të vendosë për këtë gjë vetë, ndërkohë që influenca Euro-Atlantike në Kosovë, në Shqipëri, në Malin e Zi, vazhdon të mbetet e lartë, e fortë, e madhe sepse falë njerëzve që na votojnë, falë qytetarëve tanë, ne akoma besojmë tek këto struktura tek këto organizma dhe vlerat që ata përfaqësojnë”.

“Radikalizmi islamik vazhdon të rritet dhe të jetë shqetësim për të gjithë, ashtu si dhe ndikimi rus në kufi me Ukrainën dhe e gjithë situata në Lindjen e Mesme shpeshherë e paqartë për diplomacinë perëndimore apo diplomacinë botërore në përgjithësi, i ngatërron pak letrat. E bën situatën, mjedisin botëror, më të ngarkuar dhe kjo ndoshta na i vonon pak hapat, vendeve si ne në Ballkanin Perëndimor që i kanë të qarta idetë. Unë do të kërkoja dhe do të vazhdoj të kërkoj nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së ashtu si dhe të Aleancës, më shumë vëmendje ndaj vendeve që realisht e dëshirojnë këtë gjë, që kanë akoma besim pavarësisht se rruga është bërë e lodhshme edhe shpeshherë lodhja nuk sjell entuziazëm, nuk sjell optimizëm.”
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: