Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka paralajmëruar “furtunë” te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas shkarkimit të drejtorit Enton Duro.


Duke prezantuar drejtoreshën e re të Tatimeve, Delina Ibrahimajn, Rama theksoi se rezultati do të jetë bazik për çdo drejtor e punonjës të administratës shtetërore.


Kryeministri u shpreh se nuk do të tolerohet asnjë drejtues apo punonjës që nuk përmbush objektivat, duke shtuar se është koha për të dhënë mesazhin se “informaliteti nuk tolerohet”.


“Së shpejti, kemi projektin e punësimit të 200 studentëve që do të angazhohen për të komunikuar me biznesin dhe për të ndihmuar. Që sot zyrat e punës hapin aplikimet. Në fund të ditës barra kryesore është e drejtuesve.

Kemi vendosur të ndryshojmë drejtuesin e përgjithshëm dhe Ibrahimaj, që deri dje ishte te INSTAT do të drejtojë Tatimet. Ky është vetëm fillimi i një procesi ndryshimesh mbi gjithë hierarkinë, bazuar vetëm te rezultati.

Rezultati ishte për ish-drejtorin e Tatimeve, rezultati do të jetë edhe për Ibrahimajn. Është koha për të dhënë qartësisht, jo vetëm me fjalë, mesazhin se informaliteti nuk do të tolerohet më tutje. Asnjë drejtues që nuk përmbush objektivin e rezultatit të përmuajshëm nuk është i mirëkuptuar. Edhe punonjësit që nuk përmbushin objektivin nuk janë të mirëkuptuar”, deklaroi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: