Mbrojtja Civile italiane kishte parashikuar stuhi të mundshme natën e tragjedisë së Bayesian me 7 të vdekur, përfshirë edhe pronarin, manjatin britanik të teknologjisë, Mike Lynch. Alarmi i verdhë kishte mbërritur edhe në kabinën e Bayesian. Por James Cutfield, 50 vjeç, kapiteni i jahtit luksoz me vela këmbëngul se nuk pritej përkeqësim i kushteve të motit.
Cutfield thotë se faji mund t’i atribuohet, në vend të një gabimi njerëzor, natyrës së jashtëzakonshme të ngjarjes atmosferike, me erëra shumë të forta që filluan të fryjnë në çdo drejtim.
Mirëpo, shkruan Corriere, ekziston një grup në Whatsapp ku qindra komandantë anijesh diskutojnë çdo ditë për kushtet e motit dhe paralajmërojnë njëri-tjetrin për rreziqet e mundshme.
James Cutfield, 50 vjeç, kapiteni i jahtit Bayesian
“Përtej buletineve zyrtare lidhur me parashikimin e motit, ata që bëjnë këtë punë i dinë mirë rreziqet kur një front i ftohtë mbërrin mbi një det kaq të ngrohtë. Prej ditësh i shkruanim njëri-tjetrit që të bënim kujdes sepse mund të shkaktohej një fenomen i dhunshëm natyror dhe i papritur”. “Stuhia kishte kaluar nga Formentera, një katastrofë, në Sardenja…”, shton Dudi Coletti, komandanti i një anije që i shpëtoi stuhisë: “Menjëherë pas kësaj, në Porticello ndodhi diçka e paparashikueshme”, thekson ai. Gjithashtu pjesë e grupit të WhatsApp është edhe Marco Schiavuta, një ish-anëtar i Moro di Venezia, i cili tani është një sipërmarrës detar, i cili kërkon të bëhet kujdes: “Nëse parashikohet një stuhi, merrni të gjitha masat tuaja, por nëse nuk parashikohet, është e vështirë të thuhet çfarë është e drejtë të bësh”.
Cutfield zgjodhi të qëndrojë në ujërat Porticello. Pastaj erdhi rrufeja dhe ajo erë e frikshme. Anija me vela u lëkund nga stuhia, uji u fut brenda dhe jahti Bayesian u mbyt bashkë me shtatë persona në bord.
Brenda pak minutash, jahti luksoz 56 metra i gjatë dhe me direkun më të lartë të aluminit në botë, 75 metra të lartë, përfundoi në thellësinë 50 metra, në ujërat siçiliane.
(BalkanWeb)