TIRANE – Komisioni i Ligjeve diskutoi sot në lidhje me pr/ligjin për sinjalizuesit, që përcakton rregullat për sinjalizimin e një praktike të dyshuar korrupsioni nga sinjalizuesit, në sektorin publik apo privat.

I pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ka qenë edhe ministri për Çështjet Vendore, njëkohësisht Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi, i cili siguroi se sinjalizuesve do tu ofrohet mbrojtje nga çdo veprim hakmarrës në vendin e tyre të punës.

“Sinjalizuesit janë të punësuar apo ish të punësuar që kanë dijeni apo fakte për korrupsion. Ky instrument nuk duhet të keqpërdoret për asnjë rast. Çdo akt i marrë ndaj sinjalizuesit do të quhet i pavlefshëm. Mbrojtja e sinjalizuesit përfundon nëse publikon rastin. Sinjalizuesit nuk do të kenë shpërblim sipas ligjit”- deklaroi Çuçi.

Ndërkohë, ambasadorja e Holandës tha se ky është një legjislacion i mirë dhe i praktikuar në vendet europiane.

“Ne si ambasadë e kemi mbështetur dhe mezi presim miratimin nga strukturat e posaçme. Në këtë ligj përfshihen jo vetëm institucionet publike por edhe private. Një fazë shumë e rëndësishme e adoptimit të këtij ligji është edhe faza e zbatimit të tij dhe Ambasada Holandeze ka parashikuar një projekt, ku ka kontraktuar një kompani shqiptare e cila do mund të bëjë fushata sensibilizuese për këtë projektligj.”- deklaroi ambasadorja e Holandës.

Drafti i qeverisë është depozituar në Kuvend në fund të vitit të kaluar. Ai synon parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në të gjithë sektorët, mbrojtjen e individëve që sinjalizojnë veprime korruptive në vendin e tyre të punës, si dhe nxitjen e sinjalizimit të praktikave të dyshuara korruptive.

Projekti që sanksionon të drejtën e konfidencialitetit për sinjalizuesin, është i ndërtuar në dy shtylla kryesore. Së pari ai parashikon një procedure të re ligjore për hetimin e pretendimeve të sinjalizimit për një veprim korrupsioni dhe shtylla e dytë është sanksionimi i masave mbrojtëse për sinjalizuesit nga çdo veprim hakmarrës, që dëmton interesat e tyre ligjshme si sinjalizues.

Drafti është hartuar në mbështetje të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2020 dhe Planit të Veprimit kundër Korrupsionit 2015-2017, të miratuara nga qeveria. Nisma ligjore e qeverisë është e një rëndësie të veçantë pasi lidhet me forcimin e luftës kundër korrupsionit, si një prej pesë prioriteteve kyçe në hapjen e negociatave për pranimin në BE dhe rekomandimeve të Progres Raporti të vitit 2015 për Shqipërinë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb