Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” në News24 ishte i ftuar avokati Alban Duraj. Tema ku avokati u ndal ishin problematikat me pronat dhe zanafilla e tyre që me rrëzimin e komunizmit dhe ligjin 7501.
Duraj evidentoi edhe problematikat në lidhje me vonesat e trajtimit të proceseve gjyqësore, vonesa të cilat janë shtuar edhe më tepër pas procesit të vetingut dhe daljes nga sistemi të një numri jo të pakët gjyqtarësh.
“Problemet e pronës kanë nisur që në fillim të viteve ’90. Që me ligjin 7501 ku toka u nda në bazë të familjeve bujqësore dhe nuk u bë një ndarje sipas pronarëve të vjetër, para viteve 1945, para se të vendosej komunizmi në vend.
Probleme ka sjellë edhe bumi i ndërtimeve pas viteve ’90 dhe që vijon ende sot. Shqetësues është edhe kohëzgjatja e madhe e proceseve, shpesh prona merret prona edhe kur ka ndërruar jetë personi. Ndodh që kostot e gjyqit janë të njëjta me ato të pronës edhe më shumë. Megjithatë zgjidhja më e mirë është gjyqi.
Me vetingun kemi ngadalësim të procesit. KLGJ, që harton politikat e sistemit gjyqësor duhet të ketë prioritet që të ketë shtim të numrit të gjyqtarëve në çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë e qytetarëve dhe jo vetëm”, u shpreh ai.
(BalkanWeb)