NGA: Vasil Kureta
Në kushtet kur po ndodhin lëvizje, procese e ndryshime konkrete në zhvillimet botërore, konstatohet një problematikë e mprehtë ekonomike, sociale, politike e një lloj grindjeje e brendshme në BE, por edhe brenda Perëndimit, një ngecje reale e avancimit të projektit europian, një shqetësim në rritje, por edhe një mpirje apo ngurtësim i mendimit dhe veprimit. Po piqet me shpejtësi kontradikta mes nevojës për impulse të brendshme zhvillimi e përsosje të modelit europian të zhvillimit, për vizion e ide të reja, që e ushqejnë projektin europian dhe veprimeve konkrete, që mbrojnë modelin nga kërcënime të shumëllojshme, nga brenda dhe jashtë tij, që e fuqizojnë, e bëjnë më rezistent e më të mbrojtur nga goditjet që bëhen edhe më komplekse dhe më të forta. Ka shumë nevojë për mendim krijues e veprim të mirorganizuar, për kohezion e jo grindje e ndarje, por nuk ka vend as për skepticizëm ekstrem e as për optimizëm abstrakt.

Ka nevojë për të qëndruar të bashkuar, për të kontribuar maksimalisht dhe mbajtur përgjegjësi reale nga të gjithë, në përballimin e nevojës historike që po piqet. Nevoja historike dhe përgjegjësia më e madhe sot është të mbrohet me vendosmëri e të avancohet, me mendim krijues projekti europian, i mbështetur në sistemin e vlerave. Projekti europian mbrohet duke e shtrirë atë në të gjithë hapësirën gjeografike në Europë. Pra, ka nevojë edhe për thellim, por edhe për zgjerim, sepse ndryshe nuk do të ketë as thellim e as zgjerim. BE nevojitet të merret më shumë me veten, të zgjidhë problemet e jo vetëm të regjistrojë probleme.

Në fakt, sot është grumbulluar një problematikë, që lidhet jo vetëm me përballimin e krizës së refugjatëve dhe mbrojtjen e sistemit të vlerave nga devijime konkrete brenda BE, me përballimin e efekteve të krizës dhe një problematikë për politikat shtrënguese e përballimin e rreziqeve ekonomike e financiare, me paqëndrueshmërinë e eurozonës dhe politikat fiskale, për menaxhimin e borxhit, por edhe problemet që lidhen me ndërtimin e një buxheti të qëndrueshëm në eurozonë. Diskutimi i nevojshëm për politikat shtrënguese është sa shkencor, aq edhe teknik e politik. Natyrisht, problemet e grumbulluara sociale, sidomos ai i punësimit të të rinjve plotësojnë më tej problematikën brenda BE. Në fakt, ka krizë në BE, por ka edhe frikë reale për t’u marrë seriozisht me të dhe nuk ka një strategji të plotë, të dakordësuar e të menduar mirë për përballimin e saj. BE-ja ka ekonomistë shumë të aftë e vizionarë, por me sa duket, problem mbetet politika europiane, që as po i vlerëson si duhet ato, por dhe po vonohet të veprojë e që mund të thellojë më tej krizën. Disa teorizojnë për fetishizim fiskal të Europës Veriore. Europa po lëkundet realisht edhe ekonomikisht, por edhe politikisht. Deri më sot nuk ka ndonjë reagim domethënës nga poshtë, por ai do të ndodhë, nëse nuk reagohet shpejt. Rasti i Italisë, që solli me votë në qeverisje populistët euroskeptikë është vërtet tregues se çfarë e pret BE edhe projektin europian, nëse nuk veprohet. Ka vërtet diskutime nga strukturat e BE e komisionet e saj, siç ka edhe deklarime nga drejtues të rëndësishëm të vendeve europiane, ka shqetësim në rritje vërtet, por nuk ka një vizion të qartë veprimi e ndryshimi, një program të adresuar qartë, nuk ka dakordësi për të marrë përgjegjësi së bashku.

Ka më shumë shqetësim për shtëpinë konkrete, se sa për shtëpinë europiane. Ka vërtet shfaqje të përgjegjshmërisë për situatën dhe mbajtje të përgjegjësive në përballimin e problemeve nga Gjermania, por edhe mërmëritje se Gjermania ka pushtet mbi të gjithë. Gjermania është fuqia më e madhe ekonomike në Europë dhe një kontribuuese më e madhe në BE, që kështu është shfaqur një mbrojtëse e fuqishme dhe efektive e qëndrueshmërisë ekonomike e politike dhe mbrojtëse e vendosur e demokracisë liberale dhe sistemit të vlerave. Roli i Gjermanisë dhe Francës për të mbrojtur projektin europian e avancuar atë, për të harmonizuar kontributet dhe përballuar tronditjet, për të ruajtur ekuilibrat brenda BE në përballimin e problemeve, efekteve të krizës ekonomike e krizave konkrete, por edhe të krizës së refugjatëve në mbrojtjen e sistemit të vlerave ka qenë dhe është më shumë se i dobishëm.

Situata brenda BE aktualisht po ngarkohet më tej edhe nga ajo që njihet si sfida e SHBA ndaj Europës, duke i imponuar tarifa doganore 25% për çelikun dhe 10% për aluminin. Pas deklarimit të këtyre tarifave doganore nga SHBA, u konstatua një zemërim dhe nxitim për reagim nga BE e deklarime për kundërpërgjigje. Nuk ka tërheqje amerikane dhe kjo mund të sjellë tronditje, pasoja konkrete ekonomike e sociale, por edhe lëkundje e krisje në marrëdhëniet brenda Perëndimit, që nëse ndodhin, do të sjellin pasoja serioze, që do të jetë kështu një telash më shumë për BE. Në këto kushte, kur po vihet re një ngritje e re e dallgëve të nacionalizmit e populizmit, pritet një problematikë konkrete brenda hapësirës së BE e jo thjesht sa i përket përballimit të krizës së refugjatëve, që shton nevojën e një qëndrimi sa më të bashkuar në mbrojtje të sistemit të vlerave, që është kyçi bazë i qëndrueshmërisë dhe avancimit të BE e projektit europian. Në këto momente shfaqet edhe një zhvillim diplomatik, ku ambasadori i ri amerikan në Berlin mësohet të ketë dhënë një intervistë në “Breitbart”, ku u referohet kontakteve dhe vlerësimeve për konservatorët në Europë. Ai në thelb, nxitur nga dështimi i politikave të majta, ka deklaruar se dëshiron të mbështesë konservatorët. “Dëshiroj të mbështes konservatorë të tjerë kudo në Europë” – ka nënvizuar ambasadori amerikan Richard Grenell. Për të argumentuar këtë qëndrim, Grenell thekson se zgjedhja e z.Trump ka mundësuar për njerëzit të thonë se, nuk mund të lejojnë klasën politike të përcaktojë se cili do të fitojë apo se cili do të jetë kandidat para zhvillimit të zgjedhjeve.

Ky pohim ngjason me një leksion të zakonshëm demokracie, por në thelb përcjell një filozofi justifikimi të shkujdesjes për të mbrojtur demokracinë dhe sistemin e vlerave nga kundërvënësit e rrënuesit e tyre. Në fakt, sistemi i vlerave dhe demokracia edhe kur funksionojnë, duhen mbrojtur nga sulmet e goditjet nga brenda, që përfitojnë nga funksionimi i demokracisë dhe i sistemit të vlerave, ndryshe pasojat janë të rënda. Mbrojtja aktive e demokracisë dhe sistemit të vlerave përbën nevojë e detyrim për të gjithë ata që i mbështesin këto vlera dhe avancimin demokratik. Dhe në fakt, a nuk përfitoi edhe nga një shkujdesje ndaj mbrojtjes së demokracisë, nga një legalizëm demokratik Hitleri në Gjermani dhe a nuk kanë përfituar sot nacionalistët, populistët, euroskeptikët e rrënuesit e sistemit të vlerave, në hapësirën europiane nga funksionimi i demokracisë liberale e sistemi i vlerave, teksa kanë shfaqur filozofi e qëndrime kundër projektit europian e sistemit të vlerave?

Nëse nuk mëson nga historia e nuk sheh me realizëm zhvillimet konkrete, atëherë nuk mund të quhesh viktimë, por përgjegjës real për dëmin e rrezikun që i shkaktohet modelit perëndimor të zhvillimit. Dhe nisur nga deklarimi i ambasadorit amerikan, deputeti social- demokrat gjerman, Schafer – Gumbell shpreh ashpër pakënaqësinë e vet, duke pohuar se qytetarët europianë nuk kanë nevojë që një vasal i Trump t’iu thotë se për kë duhet të votojnë. Po kështu, deklarata e ambasadorit amerikan po interpretohet edhe si përkrahje e partive nacionaliste si Alternativa për Gjermaninë dhe UKIP. Madje, ish-kryetari i Partisë Social Demokrate gjermane, Martin Schulz shkon më tej duke pohuar se Grenell nuk po sillet si ambasador, por si oficer kolonialist. Ky reagim gjerman, me ngarkesa të larta zemërimi e shqetësimi dëshmon për temperatura të larta në marrëdhëniet me SHBA. Kjo shpjegohet ndoshta edhe me faktin që Grenell ka kërkuar nga Gjermania të japë më shumë për buxhetin e NATO-s dhe që firmat gjermane duhet të tërhiqen nga Irani, ndryshe do të ballafaqohen me sanksione amerikane. Ajo që shihet direkt mund të vlerësohet si një shkelje e etikës diplomatike, sepse përtej saj, në thelb dëshmon një problematikë konkrete në marrëdhëniet mes SHBA dhe Gjermanisë, por edhe me BE.

Në këtë situatë, Putini e sheh me interes të përfitojë në shtrirjen e ndikimit në hapësirën europiane, duke menduar boshllëqet e mundshme që mund të krijohen nga grindja brenda Perëndimit. Për t’u mbrojtur nga ndonjë akuzë, Putini deklaron se Rusia dëshiron një BE të bashkuar dhe të begatë. Ai e cilëson BE-së si partnerin më të rëndësishëm tregtar dhe ekonomik të Rusisë. Ai ka mohuar se Rusia ushqen mosmarrëveshje, duke ushqyer lidhje të ngushta me lëvizjet populiste europiane, përkundrazi ne duhet të zgjerojmë bashkëpunimin me BE. Ne nuk duam të ndajmë diçka ose dikë në BE. Putin është treguar vërtet i kujdesshëm dhe pragmatik. Në përgjigje të kësaj filozofie të Putinit, kancelari austriak Kurz ka theksuar se Austria është një ndërtues i urave midis Lindjes dhe Perëndimit dhe se dëshiron të mbajë kanale të hapura me Moskën. Po kështu, kryeministri i ri italian, Conte, përpara Senatit deklaroi se kabineti i tij do të mbështesë hapjen në raport me Kremlinin. Natyrisht, përballë zhvillimeve të pritshme në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe brenda Perëndimit, nuk përjashtohet edhe një marrëdhënie e re mes BE dhe Rusisë.

Që modeli perëndimor i mbështetur në sistemin e vlerave dhe demokracinë funksionale dëshmon epërsi të dukshme e standarde të larta zhvillimi, kjo nuk mund të mohohet, por bash për këtë sulmohet e ndërtohen strategji kundërvënëse për ta goditur atë. Ka dhe do të ketë një strategji më intensive gjeopolitike ndaj BE-së, për të përfituar në drejtime komplekse, por edhe për ta grindur së brendshmi e për të mbështetur e inkurajuar mentalitete, grupime e forca politike, që kanë programe që i kundërvihen nga brenda sistemit të vlerave dhe demokracisë funksionale. Pikërisht nga kjo nevojitet të mbahet më mirë në vëmendje kjo rrethanë e jo t’i hapet rrugë nënvleftësimit e shkujdesjes ndaj këtyre strategjive, në emër të përfitimit konkret nacional. BE po kalon tani vërtet një situatë të vështirë, me probleme komplekse ekonomike, financiare e të funksionimit si BE, ku po duket se po krijojnë front të përbashkët aktorë nga brenda dhe jashtë BE, që do të pengojnë më tej mendimin krijues e hapin konkret të domosdoshëm. Ndërsa, grindja brenda Perëndimit po shton shqetësimet e pyetjet e llojit, do të kapërcehen kontradiktat brenda vetes apo do të ashpërsohen ato, duke krijuar armiqësi reale, por edhe pyetje të ligjshme të llojit jemi miq apo armiq, jemi aleatë të sigurt apo kundërshtarë të vendosur, duhet të bashkohemi më shumë për të mbrojtur modelin më të avancuar të epokës sonë, apo do të përçahemi duke ua lehtësuar punën kundërshtarëve dhe armiqve realë ndaj sistemit të vlerave dhe demokracisë.
Ky model zhvillimi duhet mbrojtur me vendosmëri si nevojë e njerëzimit, si domosdoshmëri stabiliteti dhe zhvillimi. Që ai duhet të përsoset përmes kritikës së vetvetes dhe pasurimit të vizionit të zhvillimit e të mos dëmtohet, qoftë edhe së brendshmi, kjo përbën përgjegjësi të lartë për të gjithë, pa përjashtuar askënd. Mbrojtja e këtij modeli është nevojë historike, ndryshe pasojat do të jenë katastrofike. Presidenti francez Macron, pas lëvizjes më të fundit amerikane, me tarifat për çelikun e aluminin, tregohet i drejtpërdrejtë kur e vlerëson të gabuar në shumë drejtime: “Është e gabuar se prish balancat, duke shkaktuar fragmentarizëm dhe nacionalizëm ekonomik”. Duket se po kuptohet gjithnjë e më mirë se kapërcimi i problemeve të mprehta e komplekse brenda Perëndimit dhe brenda BE kalon nga mbrojtja e sistemit të vlerave e avancimi i projektit europian nga reformat cilësore që përsosin e lëvizin përpara zhvillimet komplekse e të qëndrueshme nga bashkimi i të gjitha forcave krijuese. Çdo ecje në rënie të lirë, ngurrim, lëkundje apo mosveprim do të ishin një dështim paralajmëruar dhe gabim i rëndë historik. Hutimi dhe pesimizmi nuk zgjidhin asgjë, por edhe një optimizëm abstrakt pa përmbajtje është dëmsjellës.

Tash është pjekur shumë nevoja e kthimit të qartë të vëmendjes dhe kokës së klasës politike europiane nga vetja, nga përballimi i problematikës së akumuluar, në aleancë të ngushtë me kërkimin shkencor dhe aktorë të tjerë, që të mundësohet një program e strategji komplekse shpëtimi e avancimi të projektit europian. Në një farë kuptimi, zyrtari i lartë europian, Juncer, ka të drejtë kur thekson se Europa duhet të ndalet së dhëni mësime për të gjitha dhe se me shtetet e tjera duhet të formojmë partneritet të barabartë dmth., që të përqendrohet vendosmërisht vëmendja nga problematika brenda BE e përballimi i nevojës së mbrojtjes së modelit të zhvillimit e avancimit të tij. Në fakt, Europa nuk ka nevojë të japë mësime si lektore, sepse flet qartë me modelin më të avancuar ekonomik, politik e social, që është sot më i avancuari dhe modeli për ta ndërtuar, për disa për ta konkurruar e për disa për ta luftuar. Juncer ka të drejtë kur thekson se ecuria e botës nuk është e mirë, por nuk mund të mohojë dot se edhe brenda shtëpisë europiane punët nuk po shkojnë mirë dhe burokracia europiane ka përgjegjësinë e saj të pamohueshme.

Në një farë, kuptimi ka të drejtë se është pjekur shumë nevoja e kthimit të kokës më shumë nga brenda vetes, nga të kuptuarit çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë. Nëse reagon shpejt dhe vepron në këtë drejtim më e përqendruar dhe e bashkuar, atëherë BE realisht i jep një kontribut konkret mbrojtjes së vlerave, të së ardhmes së njerëzimit. Duke ecur në këtë rrugë vetëpërsosjeje, BE e ka të sigurt edhe një vend e rol të rëndësishëm në zhvillimet botërore dhe do t’i kontribuojë më shumë sigurisë e paqes në botë. Nëse sot mendohet se BE po humb rolin e fuqinë në skenën botërore, kjo shpjegohet jo se ka dhënë leksione, por sepse nuk po vepron me vizion krijues ndaj zhvillimeve brenda vetes, por nëse e ka thënë fjalën e vet konstruktive për zhvillimet botërore, atëherë ka ushtruar përgjegjësinë reale që ka dhe kjo nuk është tjetër veçse një detyrim dhe kontribut i dobishëm, sepse është përfaqësuese e modelit më të avancuar të zhvillimit njerëzor. Sot është nevoja jo për fjalë e deklarime të përgjithshme, por për ide e vizion krijues ndryshimi, por mbi të gjitha është koha për të vepruar, është koha për ndryshim të shumë gjërave. Një veprim konkret dhe i menduar mirë sot vlen më shumë se deklarata të përgjithshme. Është koha për të parë dhe ecur përpara më me vendosmëri dhe përkushtim. BE duhet të reagojë, të ndryshojë e bëjë hapa konkrete, për të mos lejuar të kthehet në e sëmura e Perëndimit.
Më 6 qershor 2018
Burimi: http://www.gsh.al/2018/06/11/probleme-komplekse-ne-pesimizem-ekstrem-optimizem-abstrakt/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb