TIRANË

Komisioni i pavarur i kualifikimit, shkalla e pare e vettingut, ka shkarkuar nga detyra prokurorin Dritan Gina, pasi zbuloi probleme me pasurine dhe figuren e tij. Teksa kryesuesja e trupës së KPK kishte filluar seancën duke konstatuar mungesën e subjektit, prokurori Dritan Gina u shty me forcë me oficerët e Gardës Republikës dhe u fut pjesërisht në sallë, por oficerët e shtynë jashtë në pak sekonda.

Më herët, Gina u dëgjua të debatonte me oficerët e Gardës së Republikës pasi ishte paraqitur pa kartë identiteti dhe refuzoi të kontrollohet. “Subjektet nuk kontrollohen,” tha Gina. Por oficerët thanë se po zbatonin rregulloren. Garda vuri në dijeni Komisionin dhe trupa e KPK vendosi të niste seancën pa praninë e Ginës, i cili ndodhej pas derës.  Trupa me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin procedoi me njoftimin e shkarkimit të Ginës, i cili u gjet ne probleme të pasurisë dhe figurës.

Ky i fundit jashtë seancës këmbënguli se subjektet nuk kontrolloheshin dhe se seanca pa praninë e tij ishte e padrejtë. Në maj 2018, Dritan Gina dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi u pezulluan nga detyra nga kryeprokurorja e kohës, Arta Marku, pasi Prokuroria e Durrësit nisi një procedim për fshehje të pasurisë.

Bashkëshortët Gashi dhe Gina e kontestuan në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Markut, por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh. Ndërsa procedimi penal u mbyll pa rezultate, bashkëshortja e tij, Rovena Gashi u shkarkua nga vetingu për “deklarim të pamjaftueshëm” të pasurisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb