GJIROKASTËR – Në qarkun e Gjirokastrës më së shumti dhe në atë të Elbasanit janë shfaqur probleme në qarkullim për shkak të rrëshqitjeve të tokës dhe ngricave.

ARRSH-ja ka njoftuar se deri në orën 10:00, në aksin Gjirokastër-Tepelenë ka pasur rënie gurësh në rrugë në vendin e quajtur Shkalla e Zezë. Në zonën e Rrapit të Kuqarit në Përmet ka rënie gurësh; rruga është me një kalim dhe aty po punohet nga kontraktorët për pastrimin e akseve. Po ashtu, në aksin Përmet – Çarshovë, 2 km pa shkuar në Petran, ka një gërryerje të rrugës nga uji dhe aty është vendosur sinjalistika përkatëse.

Në aksin Kufi Tepelenë-Gjirokastër, në afërsi të fshatit Shtëpëz, ka ndodhur një shkarje masive në krahun e poshtëm të rrugës. Për shkak të devijimit të lëvizjes, janë marrë masat për vendosjen e sinjalistikës përkatëse.

Në aksin Valare –Erind- Çajup është e nevojshme të përdoren zinxhirë në 3 km e fundit dhe këshillohet të bëhet kujdes me qarkullimin në Qafën e Muzinës në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes për shkak të formimit të ngricave.

Në qarkun e Elbasanit, problemet janë krijuar pas reshjeve. Segmenti Lunik – Fushe Stude qarkullohet me vështirësi me zinxhirë si pasojë e rreshjeve të borës ndërsa segmenti Fushe Stude – Steblevë është i bllokuar. Aksi Elbasan – Gjinar momentalisht është i bllokuar për shkak të çedimit prej më shumë se 2.5-3 m të trupit të rrugës në fshatin Shelcan. Po në këtë aks, 300m nga rruga kryesore, ka rreth 30 cm cedim në një gjatësi 40ml.

Aksi Cerrik-Banjë-Gramsh ka mbetur i bllokuar për shkak të daljes së lumit Devoll dhe qarkullimi bëhet nëpërmjet aksit Gramsh – Kaçivel – Elbasan. 1,5 km përpara vendit të përmbytjes, tek diga e Banjës, ka shembje nga skarpata në 3 vende me gjatësi 200 ml. Qarkullimi bëhet me nje kalim.

Në qarkun e Tiranës ka vetëm një aks në të cilin duhet të bëhet qarkullimi me zinxhirë: Qafë Molle-Bizë, për shkak të pranisë së ngricave në rrugë, kurse në qarqet e veriut rekomandohet thuajse kudo, përdorimi i zinxhirëve.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: