Pep Guardiola për herë të parë është vendosur më në shënjestër se kurrë dhe çuditërisht jo për futbollin, ose të paktën indirekt prej tij.

Në ndeshjen e fundit kundër Wigan katalanasi mbajti në xhaketë një fjongo të verdhë e cila mund t’i kushtojë disa ndeshje pezullim. Në nëntor, Guardiola njoftoi se do ta vendoste atë shirit në mbështetje të politikanëve të burgosur në Katalonjë, aty ku edhe është lindur.

Si rrjedhojë dy paralajmërime të dhëna në dhjetor nga federata angleze janë injoruar nga Guardiola, por duket se këtë herë do të ndodhë ndryshe.

Me anë të njoftimi FA lajmëroi se ka nisur një hetim për trajnerin e Manchester City-t pasi ka shkelur rregulloren duke mbajtur në xhaketë fjongon e verdhë në ndeshjen me Wigan.

Sanksioni ndaj trajnerit spanjoll është ndërmarrë për “mbajtjen në veshje të një mesazhi politik, specifikisht të një fjongoje të verdhë”, thuhet në deklaratën e federatës së futbollit.

FA i ka dhënë kohë Guardiolës të shpjegojë vendimin e tij para se të merret vendimi.

Po ndërkohë që pritet një sanksion nga federata angleze ky duket se nuk është problemi i vetëm për Guardiolën.

Radio “Catalunya” ka zbuluar se të hënën dhe të enjten, Garda civile katalanase ka zhvilluar dy kontrolle të befasishme në bordin e avionit privat të trajnerit të Manchester Cityt, për të kontrolluar nëse gjendej apo jo aty Charles Puigdemont, presidenti i rrëzuar i Katalonjës që jeton në ekzil në Belgjikë.

Të dyja tentativat e e xhandarmërisë spanjolle rezultuan të dështuara, duke mos rënë në gjurmët e të kërkuarit, por gjithsesi jo më kot Pep Guardiola është në shënjestër.

Ai prej kohësh ka dalë hapur në favor të pavarësisë së Katalonjës aq sa ka marrë pjesë disa herë në manifestimet pro kësaj kauze.

Të hënën e kaluar, me të mbërritur në Aeroportin “El Prat” të Barcelonës, Garda Civile ka pritur zbritjen e prindërve të trajnerit, e më pas ka ushtruar kontroll edhe në automjetin që u përdor për hapjen e shkallëve. Protokoll ky që u përsërit edhe këtë të enjte, kur u inspektuan edhe 4 automjete të tjera.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb