Flamurtari po stërvitet intensivisht për ndeshjen me Vorën, e cila është një finale ku luhet i gjithë sezoni. Ndeshja do të luhet të dielën, ora 15:00 në Vorë, ku vendasit do të kurorëzohen si kampionë të Kategorisë së Parë.

Skuadra po stërvitet qetësisht dhe larg presionit, ndërsa seancat janë zhvendosur gjatë paradites në fushën sportive në Pyllin e Sodës, ashtu sikundër ishte edhe ajo e djeshmja. Por, vlonjatët kanë marrë një goditje të papritur, pasi në Vorë do të jenë pa kapitenin Denis Pjeshka. Shkodrani ka pësuar tërheqje dhe dje nuk është stërvitur.

Gjithashtu, sezoni mund të quhet i mbyllur edhe për Bruno Telushin, Albi Allën, Stivi Frashërin dhe Valentino Muratajn për shkak se ende nuk janë rikuperuar. Rikthehet për këtë ndeshje sulmuesi Ememe, i cili shleu dënimin nga kartonët.

Skuadra është në heshtje shtypi dhe trajneri Artim Pollozahi nuk do të flasë deri pasi të përfundojë takimi me Vorën. Klubi ende nuk ka njoftuar për një organizim të tifozëve që të udhëtojnë drejt Vorës, por mendohet se do të ketë tifozë që do të udhëtojnë me automjetet e tyre private.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb