NGA: VJOLLCA KONGJONI* TIRANE- Prokurimet publike në Shqipëri janë problematike dhe shpesh herë jo transparente. Konkluzionet vijnë nga Progres Raporti i Komisionit Europian i vitit 2014, i cili ka evidentuar rritje me 13% të procedurave me negocim, pra pa botim paraprak. Shqetësim sipas KE janë edhe procedurat e errëta, përjashtimi nga ligji për koncesionet si dhe partneriteti publik privat.

Pikërisht mbi këto shqetësime qendra e studimeve Respublika ka kryer një studim konkret në dy institucionet kryesore që merren me këtë çështje Komisionin dhe Agjencinë e Prokurimit Publik. Studimi është zhvilluar mbi 478 vendime të Komisionit, në një periudhë kohore 7 mujore, prill-tetor të vitit 2014. Sipas drejtorit të qendrës ResPublika, Dorjan Matlia, kjo është edhe periudha ku jepen më shumë tendera.

Por ku hasen më shumë këto probleme?. “Tenderat e zhvilluara nga Kuvendi dhe Ministritë kanë pasur më pak shkelje të konstatuara nga Komisioni i Prokurimeve Publike, ndërsa më problematike kanë qenë drejtoritë në varësi të ministrive, të cilat kanë shënuar shkelje në më shumë se gjysmën e rasteve. Në një nivel pak më të ulët janë gjykatat, pushteti vendor, entet e pavarura dhe shoqëritë tregtare shtetërore.”, tha Matlija.

Një tjetër problematikë është edhe shkelja e afateve nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik, gjë që sipas studimit dëmton interesat e operatorëve ekonomikë. Përsa i përket punës së Agjencisë së Prokurimeve shihet shqetësues fakti i funksionimit të Portalit të prokurimeve, ku gjatë periudhës së marrë në studim është konstatuar fshirja e të dhënave pas një kohe relativisht të shkurtër. Mosshfaqja e tyre pas pak kohe krijon pengesa në informimin e publikut dhe cënon llogaridhënien e autoritetit konktraktor.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: