Problemet për ekipin e Korabit po përshkallëzohen nga dita në ditë dhe për t’i vendosur kapakun duhet të vinte edhe kjo krisje brenda klubit. Pas situatës së keqe ekonomike të krijuar nga sponsorët dhe vendi i fundit në renditje, te dibranët tani po evokojnë komplote dhe tolerime.

Skuadra debutuese e Kategorisë Superiore njoftoi pezullimin pa afat të 3 futbollistëve, që dyshohet se kanë toleruar në disa ndeshje, edhe pse nuk specifikohet nëse kanë qenë pjesë e rrjeteve të basteve apo për shkak të aleancave.

Arjan Sheta, Miroslav Vujadinoviç dhe Emiliano Çela janë pezulluar pa afat dhe janë gjobitur nga ana e klubit. Pas një mbledhjeje të zhvilluar nga drejtuesit dhe stafi teknik u bë një analizë teknike, duke u mbështetur edhe në pamjet filmike, nga e cila KF Korabi beson që 3 lojtarët e sipërpërmendur kanë toleruar në ndeshjet e zhvilluara përgjatë të gjithë këtij sezoni.

Klubi i Korabit informon se do të depozitojë një dosje, së bashku me pamjet filmike, pranë Komisionit të Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit, për të nisur hetimet duke iu referuar veprimeve të futbollistëve në fjalë.

Korabi vendosi të gjobisë gjithashtu edhe futbollistin Alfred Zefi, që më parë u pezullua 5 ndeshje për gjestin antisportiv në sfidën ndaj Luftëtarit. Skuadra dibrane ndodhet në vendin e fundit në renditje me 11 pikë, 9 më pak se vendi i parafundit që mbahet nga Flamurtari.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb