Rezultatet e dobëta nuk janë i vetmi problem për Korabin. Pas humbjes 0-2 kundër Vllaznisë ditën e djeshme, situata në klubin dibran është përkeqësuar akoma më shumë. Drejtori i klubit, Fehmi Mëziu, është përfshirë në një përplasje fizike në përfundim të takimit me mbrojtësin Arjan Sheta.

Ky i fundit pas pësimit të golit të parë ka patur një mosmarrëveshje me lojtarin tjetër të Korabit, Çelën. Në pushim të 45-së minutëshit të parë, Mëziu, ka debatuar ashpër me të dy lojtarët, megjithëse ata kanë vazhduar lojën edhe për pjesën tjetër të mbetur.

Përplasja ka ndodhur në përfundim të takimit, në momentin kur mbrojtësi Sheta ka dalë nga dushet. Drejtori Mëziu e ka qëlluar me pëllëmbë dhe mes tyre kanë nisur ofendimet, ndërsa është dashur ndërhyrja e të pranishmeve që sherri të mos vazhdonte edhe më tej.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Sheta ka zbardhur edhe atë që ka ndodhur duke bërë me dije se ka bërë denoncimin në polici për rastin konkret dhe nuk ka në plane që të tërhiqet.
Sheta-Korabi-470x327
Arjan, keni pasur një përplasje fizike me drejtorin Mëziu në përfundim të ndeshjes ndaj Vllaznisë. Çfarë ka ndodhur realisht?
Më vjen keq që ndodhi ashtu, pasi nuk e prisja një sjellje të atillë.

Përse vajti situata deri në një konflikt fizik mes jush?
Ai (Mëziu) e çoi punën aty, nuk e kam çuar unë. Ai, si i pabesë që është, duke folur jo çfarë the ti, çfarë thashë unë. Nuk ma priste mendja që do të reagonte ashtu, pasi debatuam në fund të pjesës së parë. Unë sa kisha dalë nga dushi dhe po fshija kokën më bëri pabesi, ashtu siç është si njeri. Më gjuajti një pëllëmbë dhe për atë pëllëmbë do të shkojë në burg ai. Unë kam një libër për të folur për atë, por nuk dua të flas më shumë tani.

Do të vazhdoni të qëndroni te skuadra e Korabit edhe pas kësaj ngjarjeje?

Normale që po. Ai (Mëziu) do të largohet nga aty, ai është dështaku jo unë. Në qoftë se ka bërë të këqija aty në Dibër, i ka bërë ai dhe jo unë. Ai do të tregohet më i zgjuar. Por, gjithsesi, unë kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund, edhe me anën ligjore.

Do të bëni denoncim?
Denoncimin për atë që ndodhi e kam bërë unë në polici. Ai do të japë shpjegim për këtë gjë. Do ta zgjidh unë edhe me forma të tjera, si të vijë momenti. Unë kam 20 vjet që merrem me futboll dhe nuk ma përdhos dot emrin një barbon si puna e Fehmi Mëziut.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb