LUSHNJE – Një person i ka vënë zjarrin vetes pranë Komisariatit të Lushnjes. Ngjarja u shënua mesditën e së martës, ndërsa 56-vjeçari Jorgo Dërka, nga fshati Bubullimë, ka shkuar pranë komisariatit i lyer me benzinë dhe i ka vënë flakën vetes.

Punonjësit e policisë, që ndodheshin aty pranë, ndërhynë dukë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Si pasojë e plagëve të marra, 56-vjeçari është transportuar në gjendje të rëndë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Dërka ishte paraqitur paraditen e së hënës në komisariatin e Lushnjes për të bërë një denoncim. Nga drejtoria e policisë së qarkut të Fierit, ndërkaq bëhet me dije se Dërka ka pasur një çështje civile, një problem pronësie me komunën, që nuk është në kompetencën e policisë. Pavarësisht kësaj, blutë e Lushnjes kanë kryer procedurat, duke i marrë 56- vjeçarit një deklarim me shkrim për çështjen, e duke e këshilluar që t’i drejtohej gjykatës së Lushnjes. Problemi lidhej me Komunën Bubullimë, e cila sot ka bërë një ekzekutim vendimi për hapjen e një rruge në kufi me tokën e këtij shtetasi. Për këtë rast mësohet se i është kërkuar shpjegim edhe komunës Bubullimë nëpërmjet Specialistit të Policisë së Zonës.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb