Nga: Ornela Manjani
Çdo subjekt, i cili kërkon të pajiset me leje apo të paraqesë deklaratë paraprake për kryerje punimesh, është i detyruar të dorëzojë aplikimin për leje dhe dokumentacionin shoqërues nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku për këqyrjen e punimeve të brendshme, si: përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme, hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme, krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarës (jombajtës) të brendshëm, i mjediseve për shërbime higjienike dhe realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare dhe të ngrohjes/ftohjes duhet të njoftohet sistemi elektronik i lejeve.

Ndryshimet e fundit ligjore parashikojnë që çdo person, që kryen punime për ndërhyrje të jashtme për riparimin dhe zëvendësimin e rifiniturave të jashtme të ndërtesave, me kusht që të ruhen karakteristikat origjinale të tyre, si: rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshja e fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese; pastrimi i fasadave; riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat e tilla si forma, ngjyra nuk duhet të pajiset me leje ndërtimi, por duhet të njoftojë para se të nisë punën.

Dokumentet
Dokumentet që duhet të depozitojë personi i interesuar për njoftimin e deklaratës paraprake për kryerje punimesh, janë: formulari i deklaratës, sipas kësaj rregulloreje dhe formatit të përcaktuar në sistemin elektronik të lejeve dhe sipas rastit: dokumenti që vërteton pronësinë e tij apo të drejta të ligjshme për pasuri private ose publike, për strukturën që ka në përdorim, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Projekti teknik i realizimit të punimeve, i firmosur nga projektues të licencuar. Brenda 5 ditëve nga dorëzimi i deklaratës paraprake për kryerje punimesh, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, autoriteti vendor përgjegjës kryen verifikimet e nevojshme dhe në rast se konstaton mosrespektimin e kushteve dhe kërkesave ligjore që rregullojnë deklaratën paraprake të punimeve e kundërshton atë me vendim të arsyetuar. Në mungesë përgjigjeje nga autoriteti vendor përgjegjës brenda afatit 5-ditor, konfirmimi konsiderohet i dhënë në heshtje dhe sistemi gjeneron aktin përkatës e njofton deklaruesin për mundësinë e fillimit të punimeve.

Sistemi elektronik i lejeve
Sistemi i lejeve shërben si pika e vetme ku paraqitet elektronikisht kërkesa për leje, sipas legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe realizohet procesi i bashkërendimit ndërinstitucional gjatë procedurës së shqyrtimit të kërkesave. Nga ky sistem realizohet monitorimi i lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet përgjegjëse të qeverisjes vendore dhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Shqyrtimi i kërkesave
Autoriteti vendor përgjegjës dhe sekretariati i KKT-së, sipas fushës përkatëse të kompetencës shqyrtojnë kërkesën për leje zhvillimi, duke bashkërenduar punën nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve me të gjitha autoritetet publike të specializuara, nëse pasuria për të cilën kërkohet leja e zhvillimit ndodhet në zona apo është objekt me kufizime apo kushtëzime të veçanta sektoriale për shkak të vlerave monumentale, arkeologjike, natyrore apo mjedisore.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: