TIRANE

Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ftoi prokurorinë të shpallë pretencën me datë 10 shtator.


Në vendimin e saj, trupa gjykuese argumentoi se është në gjendje të japë vendimin për ish-zyrtarin e lartë, bazuar në materialet që ndodhen në dosjen gjyqësore, pa patur nevojë që ato t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor.


Topi më pas kaloi në duart e prokurorëve, të cilët duhet të thonë tashmë fjalën e fundit për të pandehurin Tahiri dhe ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Cela, nën akuzë për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë .


Për këtë përfaqësuesit e akuzës kërkuan të paktën dy javë kohë. Për faktin se edhe muaji gusht është pushim zyrtar, procesi u shty për në vjeshtë.

Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri gjykohet për tre akuza “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb