Gazetari Arion Sulo, i ftuar në studion e News24 ka komentuar mbajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, si edhe ngecjen e procesit ndër vite.
Ai u shpreh se zgjedhja e Tiranës për mbajtjen e Samiit nuk mjafton, pasi në 10 vite nga krijimi i Procesit të Berlinit Shqipëria ka vetëm dy projekte, HEC-in e Fierzës dhe bypasss-in e Tiranës.
Sulo shtoi se njëra anë e ngecjes së procesit qëndron te burokracia e BE-së, por kryesisht ai nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së reformave në vendet e rajonit.
Sipas tij Shqipërisë dhe Serbisë nuk u intereson integrimi i plotë në BE, pasi kjo do të sillte monitorim të shtuar, zgjedhje të lira, drejtësi të pavarur, etj.
“Për mua nuk mjafton zgjedhja e Tiranës për mbajtjen e samitit të Procesit të Berlinit. Ne sot kemi vetëm dy projekte nga Procesi i Berlinit, HEC-in e Fierzës dhe Bypass-in e Tiranës. Do ishim të gjithë të lumtur nëse do ishim përfshirë fuqishëm në fondet e BE-së, por është e dyanshme.
Njëra anë e problematikës së ngecjes së procesit është burokracia e BE, por më kryesorja është mungesa e reformave nga vendet e rajonit. Qeverive ballkanike, kryesisht shqiptares dhe serbes nuk u intereson integrimi i plotë në BE. Sepse në BE ka monitorim, zgjedhje të lira, drejtësi të pavarur, etj. Kësisoj loja e Ramës dhe Vuccicc me Ballkanin e Hapur ishte një karshillëk i hapur ndaj Procesit të Berlinit”, tha ai ndër të tjera.